Tension në Shkodër e Pogradec, festojnë Vora e Turbina

0

Tension dhe garë e fortë për mbijetesë, kjo është panorama në Kategorinë e Parë. Në Shkodër dhe Pogradec kishte protesta të shumta nga Tomori dhe Shënkolli, skuadrat që u mundën respektivisht nga liqenorët dhe Veleçiku. Tashmë duhet pritur deri në fund se kush do të jenë skuadrat që do të bien në të Dytën. Në grupin A gara është mes Vorës dhe Shënkollit, kurse në grupin tjetër janë tre skuadra që rrezikojnë. Elbasani i vendit të fundit ka vetëm një pikë më pak se Turbina e Tomori që ndodhen mbi verdheblutë.

NDESHJET – Besëlidhja ka qenë më kërkuese dhe ka mposhtur Dinamon me rezultatin minimal 1-0. Hoxha ishte vendimtar në golin e dytë dhe lezhjanët ngjiten në vendin e dytë në klasifikim. Gara për mbijetesë është bërë mjaft interesante, pasi Vora ka marrë tre pikë të arta kundër Ilirisë së Fushë-Krujës.

Skuadra e drejtuar nga Rezart Maho fitoi me rezultatin e pastër 2-0. Ezike ishte heroi dhe Vora shkon në kuotën e 12 pikëve dhe lë vendin e fundit me një pikë më shumë se Shënkolli. Këta të fundit u mposhtën në Shkodër nga Veleçiku me shifrat 3-1. Koplikasit shënuan të parët me Tomën, kurse Danaj vendosi baraspëshën. Vendasit nuk u dorëzuan dhe me anë të Banushit e Ujkajt realizuan dy herë të tjera dhe morën tre pikë me vlerë dhe tashmë mbijetesa thuajse është siguruar. Tension në “Reshit Rusi”, ku ju tregua kartoni i kuq Mirditës së miqve.

KATEGORIA E PARË – JAVA 23

GRUPI A | PLAY-OFF
E shtunë, më 13 prill 2019, ora 16:00

Besëlidhja-Dinamo 1-0
Shënues: Hoxha 78′

GRUPI A | PLAY-OUT
E shtunë, më 13 prill 2019, ora 16:00

Veleçiku-Shënkolli 3-1
Shënues: Toma 8′, Banushi 61′, Ujka 90′ (pen.) / Rub. Danaj 16′
Vora-Iliria 2-0
Shënues: Ezike 16′, 27′

Oriku ka parakaluar Egnatian dhe ngjitet në vendin e tretë në klasifikim. Vlonjatët mundën me rezultatin 1-2 rrogozhinasit. Kongjini dhe Gonzalez i dhanë epërsinë e dyfishtë Orikut, kurse goli i Cankës vlejti vetëm në aspektin personal për sulmuesin lushnjar.

Mbijetesa në grupin B është një ekuacion pa zgjidhje. Turbina mposhti 3-0 Elbasanin e vendit dhe la vendin e fundit. Sallaku realizoi dy herë, ndërsa golin tjetër e shënoi Bërdufi. Cërrikasit numërojnë 10 pikë, po aq sa Tomori që u mund nga Pogradeci. Një takim ku në fund pati edhe tension, që u shoqërua edhe me dy kartonë të kuq. Osmanllari dhe Dervishin ishin lojtarët e ndëshkuar nga gjyqtari i takimit.

GRUPI B | PLAY-OFF
E shtunë, më 13 prill 2019, ora 16:00
Egnatia-Oriku 1-2
Shënues: Canka 23′ / Kongjini 9′, Gonzalez 17′

GRUPI B | PLAY-OUT
E shtunë, më 13 prill 2019, ora 16:00

Pogradeci-Tomori 2-1
Shënues: Liçkollari 22′, Topllari 61′ / Dervishi 10′
Turbina-Elbasani 3-0
Shënues: Sallaku 15′, 67′, Bërdufi 32′

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.