Skënderbeu e Dinamo e Zagrebit do të ndeshen të enjten në Elbasan dhe do të jetë një sfidë që do ta shohë Dinamon më të kompletuar se në ndeshjen e vajtjes.
Goal.com raporton se në stërvitjen e paradites së sotme janë parë edhe dy nga titullarët më të rëndësishëm të kësaj skuadre, kapiteni Domagoj Antoliç dhe sulmuesi El Arbi Hilal Sudani.
I pari u dëmtua kundër Rijekës dhe mungoi ndaj Skënderbeut, por edhe dje në kampionat, ndërsa sulmuesi, i cili i shënoi 3 gola para dy vitesh Skënderbeut, nuk ka luajtur në 3 ndeshjet e fundit, me shumë mundësi do të kthehet në formacion në Elbasan, duke luajtur aty ku ndihet më mirë, në krahun e djathtë të sulmit.
Tani i takon trajnerit Ilir Daja të gjejë zgjidhjet e duhura për të bllokuar Dinamon, pasi prioriteti absolut për Skënderbeun është të mos pësojë gol.