Dilemat e sulmit, CR7 dhe batuta ndaj Fiorentinës: Alegri shpjegon gjithçka

0

Juventus do të përballet nesër me Udinezen në transfertë dhe objektivi i djemve të Alegrit është fitorja e tetë rresht në kampionat. Trajneri i bardhezinjve ndalet te situata e Kristiano Ronaldos, i cili është futur në telashe pas denoncimit për përdhunimin e një femre në Amerikë, ndërsa analizon dhe anën taktike të ekipit dhe dyshimet mes lojtarëve që do të zbresin në fushën e Udinezes.

Në fund dhe një sqarim për batutën e lëshuar ndaj Bernardeskit në ndeshjen me Jang Bojs, ku trajneri i ulëriti lojtarit: “Nuk jemi Fiorentina”, pas një driblimi të panevojshëm.

CR7 – “Kristianon e shoh në gjendje të mirë, pavarësisht të gjitha peripecive. E njoh prej tre muajsh, mund të them që ai ka treguar një profesionalizëm të madh dhe qetësi brenda dhe jashtë fushës gjatë 15 viteve të karrierës. Ronaldo është dikush, i cili i është dedikuar dhe i dedikohet shumë dhe çështjeve sociale. Për mungesën në kombëtare e dija. Ka folur me trajnerin dhe presidentin e Federatës dhe për ne është diçka e mirë, sepse do të punojë me ne. Sa i përket mbrojtjes së Juves, është e drejtë, sepse klubi po e mbështet në një moment delikat, por ai i ka shpatullat e gjëra dhe është i fokusuar te ndeshja me Udinezen.”

FORMACIONI – “Bentakur mund të luajë, por do të vendos pas stërvitjes. Sa i përket sulmit, ose do të luajnë të tre: Ronaldo, Manxhukiç dhe Dibala, ose njëri mes kroatit dhe argjentinasit do të jetë në stol. Do të mendohem akoma, sepse dhe Kuadrado është në formë të mirë. Gjithashtu dhe Bernardeski, pavarësisht qortimeve të mia.”

FIORENTINA – “Nuk kam dashur të nënvlerësoj Fiorentinën, që këtë vit është një skuadër e bukur dhe luan bukur. Unë jam vetë toskan dhe më duken simpatikë njerëzit e Firencës. Unë thashë vetëm një fakt: kur je te Juventus, pesha specifike e çdo topi që prek është më e madhe se në çdo ekip tjetër. Një lëvizje mund të bëjë që të fitosh, ose të humbësh.”

UDINEZE – “Kjo është një ndeshje ku janë vendimtare aspekti fizik dhe ai psikologjik. Vitin e kaluar fituam 6-2, por ishte një ndeshje e çuditshme.”

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.