Partizani do të ndeshet në fundjavë me Laçin në Selman Stërmasi. Trajneri i kryeqytetasve Skënder Gega është i detyruar të improvizojë në mbrojtje ku Rexhepi dhe Atanda janë të pezulluar për shkak kartonësh.
Ibrahimi i rikthyer nga pezullimi pritet të vendoset përkrah Belicës në qendër të mbrojtjes, pozicion në të cilin e ka luajtur dhe më parë. Dilema e vetme mbetet zëvendësuesi i tij në krahun e djathtë.
Gjatë këtij sezoni në atë pozicion është provuar Esat Mala, por në tavolinë është dhe një skenar tjetër. Mala mund të mos zhvendoset nga mesfusha, pasi roli i mbrojtësit të djathtë mund t’i jepet brazilianit Lukas Kardozo. Futbollisti 25-vjeçar është aktivizuar vetëm si sulmues krahu ose sulmues i dytë, por në fundjavë mund ta shohim të zhvendosur në prapavijë. Një alternativë tjetër mund të jetë Reinaldo Kalari. Mëngjarashi u aktivizua nga stoli në në ndeshjen ndaj Kastriotit dhe mbuloi si rrallëherë krahun e djathtë mbrojtjes.