Pushime të detyruara, në shtëpinë e tij në Brazil, në Lagarto, qytet me 100,000 banorë, ku Diego Kosta është personazhi më i famshëm dhe krenaria e qytetit. Diego Kosta është në kulmin e karrierës, sezonin e fundit shënoi 20 gola vendimtarë për titullim e Çelsit, ndërsa tani e sheh veten 7000 km larg Londrës, duke e parë në televizor ndeshjen hapëse të kampionatit të ri, ku Çelsi u mund nga Bërnli.
Daily Mail ka vizituar sulmuesin brazilian, që është ende i Çelsit, por praktikisht ka mbyllur gjithçka dhe nuk ka ndërmend të kthehet, edhe pse e ka të qartë se mund të kalojë një vit pa futboll dhe pa paguar.
“Ka qenë një verë e çuditshme”, thotë Diego Kosta duke buzëqeshur. Vera nisi me një sms nga Antonio Konte, i cili i komunikonte Kostës se nuk do të luante më për Çelsin. Pikërisht Konte është ai që i ka shkatërruar karrierën, thotë Kosta, pasi i ndali bisedimet për rinovim në janar, por edhe nuk e lejoi të ndryshonte ekip. Tani Diego akuzon Çelsin se po e trajton si kriminel, por braziliani nuk ka ndërmend të kthehet e të stërvitet me rezervat e klubit, edhe pse ka kohë që po gjobitet.
“Dua Atletikon, që këtë muaj. Përndryshe, qëndroj deri në fund të kontratës me Çelsin, pa paguar”.
Duke ndjekur ndeshjen e çmendur të Çelsit, që me një lojtar më pak iu afrua përmbysjes ndaj Bërnlit, Diego Kosta emocionet dhe thotë: “Premier Liga është maja e futbollit. Këto momente, lufta për rezultat deri në fundin e shtesës, me disa sekonda të mbetura, për këto jetojmë. E patë Arsenalin ndaj Lesterit? Çmenduri. Pastaj Liverpuli 3-3, Runej shënoi për Evertonit! Nuk do isha njerëzor, po të thosha që nuk më merr malli për ato momente”.
Megjithatë, Kosta nuk pret pajtim me Çelsin: “Jo, Konte nuk më do në skuadër. Po pres që Çelsi të më lërë të lirë. Nuk isha unë ai që dëshiroja largimin, isha i lumtur në Londër, por kur trajneri nuk të do, duhet të largohesh. Nëse do i pyesnit të gjithë shokët e skuadrës, përgjigja do të ishte e njëjtë. Ata më nisin mesazhe duke më thënë sa shumë e ndiejnë mungesën time. Flas shpesh me ta, sidomos mes Fabregas, David Luiz dhe Uillian, komunikojmë në Whatsapp dhe ata më duan për personin që jam”.
Po atëherë, pse shkoi gjithçka keq? “Nuk flas dot për të tjerët, vetëm për veten. Pata një sezon të madh, luftova në çdo ndeshje deri në momentin e fundit. Nuk ishte gjithçka perfekte, sepse në janar Konte më pezulloi për një ndeshje për një grindje që pata me trajnerin atletik. Në janar ndodhën shumë gjëra me trajnerin, isha pranë rinovimit dhe më pas u ndal gjithçka. Dyshoj se trajneri ishte pas frenimit të bisedimeve, ai kërkoi që të mos rinovoja. I kishte idetë e qarta, e kam njohur mirë si person, ka mendimin e vet dhe nuk e ndryshon. E respekton, është një trajner i madh, ka bërë një punë të shkëlqyer, por si person nuk e respektoj. Ai nuk është një trajner i cili afrohet me lojtarët, qëndron larg, nuk ka karizmin e duhur”.
Duke qenë te karizma, nuk mund të përmendet Zhoze Murinjo: “Zhoze më telefonoi, direkt në telefonin tim, thjesht për të më pyetur si isha. Më uroi fat. Nuk kam pasur kurrë probleme me Zhozenë, kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Të gjithë u trishtuam që Murinjos nuk i eci te Çelsi sezonin e fundit”.
Sulmuesi 28-vjeçar nuk po qëndron pasiv në vendlindje, sepse aty po blen tokë për të hapur një shkollë futbollit që do ta emërtojë Balon de Ouro, ndërsa vetë shkon përditë në palestër me trajner personal.
Ndërkohë, vendin e tij te Çelsi e ka marrë Alvaro Morata: “Është sulmues i shkëlqyer. Vjen nga një sezon madhështor në Madrid dhe duke parë si është çmendur tregu, çmimi i paguar për të nuk është shumë i madh. Ai do të triumfojë te Çelsi, por ka shumë rrugë e punë për të bërë”.
Kostës nuk i del inati me mënyrën si u largua nga Çelsi, me një sms nga Konte: “Isha me kombëtaren spanjolle, i vetëm, në dhomë, kur mora mesazhin. U trondita, askush nuk po e besonte atë që po ndodhte, kur u tregoja mesazhin. U nervozova shumë atëherë, tani jam më i qetë. Nuk e kam fshirë mesazhin, e ruaj nëse dikush më quan gënjeshtar. Konte ishte i qartë, duke më thënë që nuk më llogariste më dhe më uronte gjithë të mirat për të ardhmen. Pikë. Më vjen keq, sidomos për tifozët, që nuk i kuptojnë disa gjëra nga futbolli, çfarë ndodh në prapaskenë”.
Megjithatë, Kosta nuk e ul kokën dhe pret qetësisht fundin e gushtit: “Nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor, dua që gjërat të bëhen në rrugën e duhur, pa konflikt. Pse nuk më lejojnë të largohem, nëse nuk më duan? Unë duhet të mendoj për të ardhmen time. Jam sjellur mirë dhe jam munduar të bëj më të mirën. Dua të kthehem tek Atletiko e Madridit, kam biseduar me drejtoreshën e Çelsit Marina Granovskaia. I thashë se nëse trajneri nuk më donte, atëherë dëshiroja të shkoja tek Atletiko. Kam refuzuar oferta të tjera, ata dëshironin të më shisnin në Kinë apo në vende të tjera, por në Spanjë është vendi im, nëse largohem, shkoj atje ku dua, jo te klubi që më paguan më shumë. Simeone më dëshiron në skuadër, kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me të. Tifozët dhe njerëzit më duan tek Atletiko, më respektojnë”.
Po Çelsi? “Ata më kërkojnë të kthehem e të stërvitem me rezervat. Nuk do më lejohej të stërvitesha me ekipin e parë, as të kontaktoja me lojtarët e ekipit të parë, as të përdorja dhomat e zhveshjes të ekipit të parë. Unë nuk jam kriminel! Nuk më duket e ndershme, pas asaj që kam dhënë për këtë klub, që të trajtohem kështu. Më dhanë një javë më shumë pushim, por më pas më kanë gjobitur për çdo javë që kam munguar. Unë nuk jam kriminel dhe nuk kam shkelur asnjë rregull. Nëse duan, le të më gjobitin. Për mua ka rëndësi të jem i lumtur, jo të marr rrogën. Jam në shtëpinë time, me njerëzit që më duan. Nëse do jetë e nevojshme, do të qëndroj në Brazil, nuk do të luaj për një vit, pa paguar fare. Po të isha unë fajtori, do të kthehesha me vrap dhe do të bëjë gjithçka më kërkojnë. Dua që të arrihet një marrëveshje me Atletikon, të stërvitem aty deri në janar dhe më pas të luaj para Kupës së Botës”.