Barcelona ka marrë dhe një tjetër lajm të rëndë, teksa Tomas Vermale do të mungojë rreth 6 javë. Në këtë mënyrë Vermale i bashkohet kolegut të repartit, Samuel Umtiti, i cili gjithashtu është i dëmtuar. Diçka të tillë e ka njoftuar vetë klubi, përmes një postimi ku ka bërë me dije se lojtari ka pësuar një dëmtim bicepsin e këmbës së tij të djathtë dhe nuk do të jetë i gatshëm deri në fundin e muajit të ardhshëm.
Një lajm i keq për blaugranat të cilët duhet të bëjnë vetëm me Pikenë dhe Lenglet. Tashmë të gjithë tifozët e Barçës dhe drejtuesit urojnë që të mos ketë më dëmtime në këtë repart, por dhe vetë lojtarët duhet të jenë të kujdesshëm për të evituar kartonë, pasi në të kundërt situata do të ishte vërtetë e vështirë.
Kalendari i Barcelonës është mjaft i ashpër, pasi në tetë ditë do të jenë vizitorë në “Camp Nou”, Sevilja, Interi dhe reali i Madridit. Ernesto Valverde duhet të ketë dhe pak fat me vete, pasi një tjetër dëmtim apo pezullim do e bënte akoma më shumë me dhimbje koke.