Ndeshje e çuditshme ajo në Kamzë, ku Partizani vuajti shumë dhe ishte me fat për një orë lojë, ndërsa Kamza humbi një penallti, humbi raste dhe në pjesën e dytë humbi edhe ndeshjen. Trajneri Bledar Devolli nuk e qorton ekipin e tij, përtej humbjes, duke fajësuar edhe fatin e keq, në intervistën pas ndeshjes në “Gol pas Goli” në Supersport.
“Është për të ardhur keq, e humbëm ndeshjen për një episod. Ne i patëm shanset, humbëm edhe penallti, ndërsa Partizani pati pak raste dhe gjeti golin. Jam deri diku i kënaqur, ndoshta ekipi u fut nën presion nga fakti që nuk po shënonim, ndërsa goli i Partizanit e demoralizoi ekipin. Gjithsesi, jam i kënaqur nga skuadra, edhe pse humbëm.”
“Ndryshimi nga ndeshja me Tiranën? Ndonjëherë vendos edhe fati, ashtu si na ndihmoi ndaj Tiranës, ashtu na u kthye sot. Nëse shënonim penalltinë, ndoshta tani do të flisnim ndryshe. Disa gjëra i bëmë mirë, disa jo, ka hapësira për përmirësim. Sa të jem unë, kështu do të vazhdojmë të luajmë, duke qarkulluar topin dhe duke tentuar të bëjmë lojën. Nuk jemi ende ku duhet, sepse skuadra është ende në punë e sipër, disa kanë ardhur me vonesë, disa duhet të ambientohen”, përfundon trajneri i Kamzës.