Dështimet e Leonardos në merkato, te Milani shpëton vetëm Higuain

Te Milani nuk dalin llogaritë. Deri në këtë pikë të sezonit, kontributi i përforcimeve të verës ka qenë mediokër, ku i vetmi që shpëton është Gonzalo Higuain. Sulmuesi argjentinas është i vetmi që ka arritur të bëjë diçka për kauzën e “Djallit”, duke u shfaqur në lartësinë e pritshmërive, me gjashtë gola të realizuar.

Pjesa tjetër e lëvizjeve të merkatos së realizuar nga Leonardo me Maldinin ka zhgënjyer. Duke nisur nga Bakajoko, i cili u transferua te kuqezinjtë pas negociatave mjaft të vështira me Çelsin. Paraqitjet e mesfushorit kanë qenë alarmante në të gjitha drejtimet: shumë i ngadaltë dhe i lexueshëm në lojë, ku bien në sy edhe kufizimet teknike.

Lojtari nga Bregu i Fildishtë dhe me pasaportë franceze duhej të ishte alternativë e Kesie, por për momentin duket si një “peshk pa ujë” te Milani. Nuk është paraqitur më mirë as Kastijeho, i cili i humbi gjurmët menjëherë pas golit që realizoi ndaj Sasuolos.

Shumë pak është përdorur edhe Laksalt, i cili nuk po arrin të rivalizojë me Rikardo Rodriguez, edhe për shkak të skemës së lojës, e cila nuk i përshtatet. Një tjetër çështje është Kaldara, që u cilësua simboli i ri i Milanit dhe u vlerësua sa Gonzalo Higuain. Problemet e shumta e kanë penalizuar ish-lojtarin e Atalantës në këtë fillim-sezoni, ku nuk është aktivizuar fare në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *