Një luftëtar pa armë, në stol, ose edhe larg tij, i vetmuar për të medituar se çfarë shkoi ters. Dejvi Bregu dje në Elbasan ishte i tillë, një njeri i zhgënjyer, një “ushtar” që shikon se pas shumë betejash është tradhtuar nga komandantët dhe i është thënë të dorëzojë armët tek armiku. Vlonjati e kishte mbyllur me Luftëtarin që në maj, u largua mes lotëve nga Gjirokastra, ku për dy vjet e gjysmë i zbaviti të gjithë, ata tifozë që në dekadat e fundit nuk kishin parë kurrë një si ai ‘live’, në stadiumin e vet.
U kthye Dejvi, për të dhënë një dorë për Europën, sepse fundja Ventspilsi letonez ishte rival i kalueshëm në letër, por “magjistari” vlonjat nuk e priste që në një muaj Luftëtari të bëhej një çorbë e madhe. Trajner i ri, lojtarë të larguar e afruar, probleme të brendshme dhe një kaos total në Letoni, me humbjen e turpshme 5-0. Krejt papritur, drejtuesit e klubit fajësuan edhe Bregun, me sa duket, i cili dje nuk luajti fare.
Shkoi për të ndihmuar, e kthyen në të padëshiruar, në të tepërt, atë që në dy vite e gjysmë ka dhënë gjithçka dhe është ngjitur nga ferri i Kategorisë së Parë deri te ëndrra Europë, që në Gjirokastër nuk do ta shohin më ndoshta kurrë. Për Supersportin, pas ndeshjes Bregu i tha të gjitha, zbrazi dufin e akumuluar në këto javë, duke goditur “me pambuk”, sepse nuk polemizoi me ndokënd personalisht, por foli qartë, kush kupton, kupton…
– E çuditshme të largohesh në këtë mënyrë, me këtë lloj ndeshjeje, me trajnerin Kostiç që të lë në stol për zgjedhje taktike…
– Nuk ka problem, tani e kuptoj më mirë, por askush nuk ma mohon dot kontributin që kam dhënë te Luftëtari, golat e shumtë që kam shënuar në dy vite e gjysmë dhe meritën e madhe që kam që Luftëtari arriti deri këtu. Nuk ka problem, u jam mirënjohës shokëve të skuadrës dhe atyre që më kanë mbështetur. Dua të sqaroj që lajmet e “Panorama-Sport” që kanë marrë nga klubi i Luftëtarit besoj se janë të gabuara.
– Çfarë ka ndodhur realisht?
– Asnjë debat dhe asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë shkruajtur. Thjesht trajneri ka menduar që mund të provojë lojtarë të tjerë, gjë që e kam pritur shumë mirë, nuk kam asnjë arsye përse të mërzitem. Unë kam punuar me shumë trajnerë te Luftëtari dhe kam respektuar çdo vendim të tyre, por në këtë fund të rrugëtimit me Luftëtarin shoh që shumë njerëz nuk janë treguar mirënjohës.
– E çuditshme për të gjithë që lojtari më i mirë i ekipit të mos luajë, por edhe Xhekson nuk luajti. Si e ke përjetuar?
– Në fillim u habita, por nuk ka asnjë lloj problemi, janë gjëra që vendoset nga dikush tjetër dhe nuk më intereson më, janë pjesë e së shkuarës tashmë. Disa gjëra bëhen më të lehta pas këtyre veprimeve, besoj edhe Xhekson ka pasur një arsye të fortë për veprimin që ka kryer, por nuk dua të flas për gjëra që nuk më përkasin. Duke folur për veten, mbase për tifozët është shumë e çuditshme që më panë në stol, pasi mbase këtij klubi i kam dhënë më shumë sesa më ka dhënë. Unë mbetem mirënjohës, por me sa shoh nuk marr mirënjohje në këmbim. Gjithsesi, largohem pa hatërmbetje, i përqafoj të gjithë.
– Ndoshta meritoje të largoheshe ndryshe, edhe në raport me tifozët.
– Unë erdha me dashamirësi të madhe, kush më ka njohur e ka kuptuar me çfarë dëshire kam ardhur, por me sa duket ndihma ime nuk ka vlejtur, sepse me sa duket një nga fajtorët e humbjes në Letoni kemi qenë unë dhe Xhekson.
– Mos ndoshta ndarja më e bukur ishte ajo e javës së fundit në Gjirokastër.
– Ajo ndarje nuk vjen më, ato lot janë të papërshkrueshme, ashtu si lotët dhe duartrokitjet e tifozëve në stadium. Më vjen shumë keq që përfundoi kështu, erdha për të ndihmuar dhe me sa duket nuk vlejti, shpresoja edhe vetë të jepja më shumë, por janë gjëra që ndodhin. Gjithsesi, në dy vite e gjysmë kam treguar sa vlej dhe nuk mund të fajësohen një apo dy lojtarë, por duhet gjetur përgjegjësia në tërësi. Doja një ndarje tjetër, por gjithsesi largohem me kokën lart, të gjithë e kanë parë sa kam dhënë dhe jam krenar.
– Ç’kuptim ka sjellja e çuditshme e trajnerit me titullarët e skuadrës në ndeshjet e Europës?
– Duhej pak më shumë respekt për ata që kanë dhënë më shumë, kur ai e gjeti gati. Gjithsesi, unë nuk i uroj asgjë të keqe. I uroj gjithë të mirat skuadrës, sepse me ata djem kemi qarë e kemi qeshur dhe u uroj më të mirën e mundshme dhe ata e dinë shumë mirë që do të bëj gjithnjë tifo për ata.
– Skënderbeu në horizont.
– Të hënën jam në Korçë, më pret një sfidë shumë tërheqëse dhe që e pres me padurim, sepse një lojtar i mirë duhet të luajë në një klub të mirë.
– Si e sheh Skënderbeun pas largimeve të rëndësishme në verë?
– Me sa kam parë, Skënderbeu ka bërë përforcime mjaft cilësore dhe jam i bindur që Skënderbeu do të jetë sërish elitar. Tani jam pjesë e këtij klubi, edhe tani që po flas, ndoshta po flas në mënyrë emocionale dhe i kërkoj falje publikisht klubit Skënderbeu nëse kam lëshuar ndonjë deklaratë të gabuar.
– Le të imagjinojmë një hap pak më përpara, një aventure jashtë Shqipërisë me medalje kampioni ne qafë!
– Do ishte diçka e mrekullueshme nëse e lë Skënderbeun kampion dhe e di që mundësinë që të shkosh në një kampionat më të fortë evropian ta jep vetëm Skënderbeu. Jam i përgatitur, klubi më ka dhënë mbështetje, gjithashtu edhe menaxheri, ndaj të shohim në të ardhmen.