Më i miri në fushë, për të disatën herë. Madje, Lukas Torreira i dhuroi vetes edhe kënaqësinë e golit në Premier Ligë. Në fillim të sezonit, transferimi i tij te “topçinjtë” u pa me skepticizëm, por tashmë ka fituar simpatinë dhe zemrat e të gjithëve.
Gjithmonë në fushë dhe tani cilësohet nga të gjithë tifozët si transferimi më i mirë në “Emirates Stadium”. Unai Emeri është i lumtur për mesfushorin uruguajian, i cili i ka dhënë skuadrës grintë, dëshirën për të luftuar, rregull në fushë dhe vizion loje.
Lojtari i duhur në vendin e duhur, i cili për blerjen nga Sampdoria, i kushtoi londinezëve 30 milionë euro. Lukas shkëlqeu, as më shumë e as më pak, por në derbin e fituar me përmbysje ndaj Totenhemit.
Me Torreirën që shkëlqen në Angli, ata që kanë rudhur buzët janë te Interi. Një vit më parë, 22-vjeçari i kishte thënë “Po!” projektit zikaltër. Problemi lidhej me çmimin e kartonit, pasi Ferrero nuk pranonte më pak se 25 milionë euro.
Presidenti i Sampdorias e kishte të qartë se interesimi për Torreiran do të rritej gjatë merkatos së verës, ndërsa Interi nuk kishte likuiditetin e duhur në afatin e transferimeve të janarit, për shkak të “Fair Play-t Financiar”. Ndoshta një shenjë e fatit, sepse tani “vogëlushi” i madh Torreira ka fituar zemrat në Londër.