Atletiko e Madridit do e mbyllë pa asnjë trofe këtë sezon dhe ai brez i artë duket se i ka mbaruar cikli. Emra si Godin, Filipe Luiz, Huanfran, Gabi e shumë të tjerë janë në perëndim të karrierës dhe mbrojtja është reparti të cilin Simeone kërkon ta rinovojë.
Himenez është një pikë kyçe në qendër të mbrojtjes, por Simeone kërkon një tjetër mbrojtës cilësor si partner të tij. Me Godin që me shumë gjasa do të jetë lojtar i Interit, “El Cholo” ka hedhur sytë drejt Anglisë për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Sipas “Marca”, Atletiko ka shfaqur interes për argjentinasin e Mançester Sitit, Nikolas Otamendi, pasi ky i fundit e ka humbur besimin e Pep Guardiolës dhe po kërkon një skuadër të re. Me 25-30 milionë euro, Otamendi do të vishte fanellën e kryeqytetasve spanjollë.