Ish drejtori i Kukësit analizon kampionët para “Champions”-it dhe “këshillon” klubin, pas zërave të fundit se Gega mund të bëhet drejtor teknik
Kukësi arriti që të kurorëzonte me sukses asnjë sezon të gjatë dhe aspak të lehtë. Normalisht që pjesë e suksesit janë dhe ato personazhe që nuk ia dolën që të çonin deri në fund bashkëpunimin me kampionët. Si rrallë këto vite stafi i Kukësit gjatë sezonit pësoi vetëm një ndryshim, me drejtorin e përgjithshëm Dritan Dervishi i cili u largua vetëm pas tetë javësh nga fillimi i kampionatit. Edhe pse skuadra kishte triumfuar pastër 2-0 me Korabin, pritshmëritë kishin qenë më të mëdha dhe ai që e pësoi ishte pikërisht Dervishi. Tashmë i angazhuar matanë Adriatikut, me klubin e Veronës, ish drejtori i Kukësit nuk nguron të flasë për pritshmëritë e tij në lidhje vazhdimësinë e Kukësit.
TITULLI – Klubi verilindor vetëm dy ditë më parë e falënderoi Dervishin për kontributin e dhënë në arritjen e titullit kampion dhe në prononcimin për “Sport Ekspres” Dervishi e pranon se ndihet kampion, po aq sa dhe të gjithë kuksianët: “E falënderoj klubin dhe presidentin Safet Gjici. E ndjej dhe unë veten kampion si gjithë kuksianët brenda dhe jashtë vendit. Jam krenar që punova me këtë klub dhe me këta tifozë”.
CHAMPIONS – Kukësi do të jetë debutues në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental për klube, megjithatë arena ndërkombëtare është një terren i preferuar i verilindorëve, që kanë treguar se dinë se si kalohen turet në Europë. Ish-drejtori i verilindorëve beson se për momentin skuadra nuk është ende gati për këtë kompeticion, megjithatë beson se do të jetë përgatitur plotësisht deri para ndeshjes së parë: “Nuk e shikoj gati në këto momente, por besoj që do jenë të gatshëm për këtë event të rëndësishëm. Besoj se ka nevojë të forcohet në çdo repart pasi Champions nuk të fal asnjë gabim. Mendoj në mesfushë dhe në sulm me lojtarë cilësorë dhe që bëjnë diferencën”.
OBJEKTIVI – Objektivi i vënë nga presidenti Safet Gjici është arritja e grupeve të Europa League-s. Formati mund të krijojë një rrugë më të shkurtër, por shorti është i frikshëm. Në këtë pikë, Dervishi tregon se asgjë nuk është e pamundur dhe beson se ëndrra e radhës e kuksianëve mund të realizohet: ”Çdo gjë arrihet me punë sakrificë dhe pasion. Në kampionat thoshin për ne që nuk fitojmë kurrë dhe të gjithë e panë se çfarë ndodhi. Kam besim që mund të arrihet dhe ky objektiv”.
SUGJERIMI – Tashmë punon për llogari të Veronës në Itali, megjithatë Dervishi nuk ngurron që të japë mendimin e tij në lidhje me ndonjë emër konkret që mund t’u bënte shumë punë kuksianëve. I arritshëm apo jo, ajo është tjetër temë: “Nuk është e drejtë të jap sugjerime pasi nuk dua të bëj të shumëditurin, por një emër e jap: Danilo Alvesh”.
POSTI – Që pas ikjes së Dervishit, Kukësi e ka lënë atë pozicion vakant, por tashmë është i detyruar që ta plotësojë. Një rikthimi mundshëm? Për momentin jo. Në mbyllje, 47-vjeçari jep dhe një këshillë për presidentin Gjici: “Rrugët tona tashmë janë ndarë, por mes nesh qëndron respekti reciprok. Unë nuk kthehem për momentin në Shqipëri. Besoj mund të jap një këshillë. Kukësi të marrë një drejtor që mendon për ekipin e tifozët dhe jo për të zëvendësuar trajnerin”.