Derbi s’i shpëton hijeve, Superiorja e gjitha të dielën

0

Edhe katër javë kanë mbetur në Superiore dhe ende nuk është përcaktuar asgjë. Në fakt çështja e titullit duket e mbyllur, pasi 10 pikët diferencë mes Partizanit e Kukësit praktikisht janë të parikuperueshme. Të kuqtë dje ia dolën të thyejnë Flamurtarin në transfertë, madje me rezultatin 0-3.

Vendin e tretë vlonjatët e ndajnë me Teutën, që nuk ia doli dot të fitonte në shtëpi me Luftëtarin. Durrsakët mund t’i gëzohen faktit që edhe Laçi barazoi, kurse Skënderbeu u mposht. Dy pikë është diferenca e durrsakëve me dy ekipet poshtë. Javën e ardhshme “Djemtë e Detit” do të duhet të udhëtojnë drejt Korçës.

Laçi ka mundësinë të përfitojë, pasi ka në xhep tre pikët me Kamzën dhe rivalët përballen mes tyre. Kurbinasit tashmë presin një “nder” nga krutanët, që për të shpresuar te mbijetesa duhet të fitojnë me Flamurtarin në Fushë-Krujë.

Kastrioti është ende në garë, pasi Tirana e Luftëtari që kanë pesë pikë më shumë përballen me Partizanin dhe Kukësin. Java e ardhshme është interesante, ndërkohë që ndeshjet sërish do të luhen të gjitha njëkohësisht, këtë herë prej orës 16:30. As derbi nuk bën përjashtim.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 33
E diel, më 12 maj 2019, ora 16:30

Partizani-Tirana
Skënderbeu-Teuta
Luftëtari-Kukësi
Kastrioti-Flamurtari

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.