Ka përfunduar në “London Stadium” derbi londinez midis Çelsit dhe Uest Hem. Një barazim 0-0, i cili më së shumti i shërben Uest Hem.
Një hap fals i bluve të Mauricio Sarrit që tani shikojnë Liverpul të jetë e vetme në krye me 2 pikë më shumë. Për sa i përket sfidës së sotme Çelsi i Sarrit ka dominuar thuajse të gjithë takimin por ka dështuar për të gjetur fitoren. I pari hap fals ky i Çelsit këtë sezon pas 5 fitoreve radhazi.
Ndërkohë Uest Hem konfirmon momentin e mirë që po kalon, të cilët duket se kanë lënë pas krizën e javëve të para. Pas fitores në fushën e Everton javën e kaluar, “çekanët” siç quhen ndryshe vijojnë ecurinë e mirë me këtë barazim ndaj Çelsit. Javën e ardhshme blutë e Sarrit presin Liverpul në një duel për kreun e Premier Ligë, ndërkohë Uest Hem do të presë Mançester Junajtid.