Derbi Inter-Milan, Shevçenko analizon duelin

0

Andrej Shevçenko ishte një ndër lojtarët që bëri epokë me Milanin. Shtatë sezone të kaluara me kuqezinjtë, ku arriti të bëhej gjithashtu, i pari dhe i vetmi ukrainas që fiton Topin e Artë. Pasi u transferua te Çelsi në vitin 2006, pas tre vitesh ukrainasi u rikthye për një sezon përsëri në “San Siro”, ku numëron në total plot 174 gola me fanellën e Milanit.

Shevçenko tashmë ka nisur karrierën e tij si trajner prej dy vitesh, teksa është në krye të kombëtares së Ukraines. Ditën e sotme ish-sulmuesi është rikthyer të flasë për klubin ku pati shumë suksese, pikërisht për Milanin. 42-vjeçari ka deklaruar se e sheh më të qetë Milanin me pronarët e rinj dhe gjithashtu ndër të tjera ka bërë komentin e tij për derbin e fundjavës, ku ukrainasi është dhe golashënuesi më i mirë në histori për derbin.

MILAN – “Tani shoh një qetësi totale te Milan, pas ardhjes së pronarëve të rinj. Menaxhimi ka ndryshuar dhe vihet re qartë nga ardhja e Leonardos e Maldinit. Ata po bëjnë një punë të mirë.”

DERBI DHE HIGUAIN – “Derbi do të jetë një përballje e bukur për t’u ndjekur. Nuk dua ta krahasoj Higuain me veten, por mendoj se Higuain ka një rol mjaft të rëndësishëm. Milani ka lojtarë që nuk kanë shumë eksperiencë dhe tani po stërviten me një sulmues që ka luajtur në ekipe si Real Madrid, Juventus dhe Napoli. Higuain është një lojtar seriozë dhe gjithashtu mund t’i ndihmojë shokët e skuadrës që të rriten akoma më shumë”.

IKARDI – “Për sa i përket Ikardit, ai është përmirësuar shumë dhe është një lojtar që gati-gati është formuar plotësisht. Është një lider tek Inter. Në Champions e dëshmoi mjaft mirë këtë gjë, pasi në të dyja ndeshjet e Inter, ishte ai që e ndihmoi ekipin të dilte nga vështirësitë dhe të merrte fitoret”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.