Aleksis Sançez do të largohet nga Arsenali, por destinacioni i tij është tashmë një mister. Sulmuesi ka arritur marrëveshjen me Mançester Sitin, për një kontratë me 12 milionë sterlina në vit, ndërsa Siti i ka ofruar Arsenalit 20 milionë sterlina. Çmimi kaq i ulët vjen vetëm për një arsye: 29-vjeçari hyn në 6 muajt e fundit të kontratës dhe në 1 korrik është i lirë.
Tani vjen lajmi i bujshëm: në garë është futur edhe Mançester Junajtid, që ka vënë në tryezë 25 milionë sterlina për Arsenalin, si dhe një pagë edhe më të lartë se ajo që i ofron Siti Sançezit. Gjithashtu, Junajtid i ofron Arsenalit edhe mundësinë që të blejë mesfushorin Mkitarjan, i cili gjithsesi ka një pagë prej 9.6 milionë sterlinash në vit dhe kjo e step Arsenalin, që preferon brazilianin 20-vjeçar Malkom, nga Bordoja, që kërkon 50 milionë euro për talentin e vet, duke qenë se e ka kartonin në bashkëpronësi me disa agjentë.