Leonard Trebicka
Planet e stafit teknik të Skënderbeut janë prishur gjatë seancës së djeshme stërvitore, në mes të së cilës mesfushori Nuredin Orelesi ka dalë nga fusha i dëmtuar. Nigeriani e ka ndërprerë stërvitjen, për shkak të një problemi fizik dhe kjo do të thotë se ka pak shanset të luajë në finalen e sotme të kupës me Tiranën. Trajneri Ilir Daja është vënë në merak të madh, sepse Orelesi është lojtari i vetëm shkatërrues që ka në dispozicion. Duke ditur që edhe Tefik Osmani është i pezulluar, pozicioni i shkatërruesit bëhet edhe më shqetësues, por që dje stafi teknik ka provuar Nimagën, titullar në ndeshjen e fundit me Partizanin në kampionat. Lojtari nga Mali do ta zëvendësojë Orelesin në këtë ndeshje të rëndësishme.
RRESHTIMI I RI – Skënderbeu, sipas të gjitha gjasave, do të aplikojë një skemë të re loje në ndeshjen e sotme me Tiranën, ndërkohë që emrat, me përjashtim të Orelesit, mbeten ata që gazeta ka bërë me dije edhe dje. Mungojnë Osmani dhe Salihi të pezulluar nga Disiplina, por edhe Lilaj e Malaj të dëmtuar. Trajneri Daja nuk ka menduar ta rreshtojë ekipin me skemën e zakonshme 4-2-3-1, por të kalojë me skemën 4-1-2-3, që në momente të caktuara shndërrohet në 4-3-3. Kjo është risia e juglindorëve në ndeshjen e sotme. Mungesat e Salihit e Osmanit i kanë prishur jo pak punë Dajës, por më shumë akoma prish punë dëmtimi i Orelesit, gjithmonë nëse nigeriani nuk ia del. Në portë do të jetë kapiteni Orges Shehi. Në mbrojtje janë katër titullarët e zakonshëm Vangjeli dhe Mici në krahë dhe Radas e Jashanica në qendër. Përpara mbrojtjes, i vetëm do të jetë mesfushori nga Mali, Bakari Nimaga, i cili do të zëvendësojë Nuredin Orelesin. Pak përpara tij do të jenë Xhejms dhe Muzaka. Nigeriani do të luajë prapa sulmuesit të parë, kurse Muzaka do të bëjë më shumë organizatorin. Dhe në vijën e parë të sulmit do të kemi këtë herë tre lojtarë. Gavazaj dhe Latifi do të jenë krahët dhe Plaku në qendër. Kjo është 11-shja e Skënderbeut për ndeshjen e sotme ndaj Tiranës, formacion që pak a shumë është zyrtarizuar edhe nga trajneri Ilir Daja. Ai beson se ky është grupi më i mirë për të përballuar ndeshjen e sotme. Të gatshëm janë në stol lojtarë si Teqja, Gripshi, Ogunxhimi, Karimi e ndonjë tjetër.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Nimaga (Orelesi) – Xhejms, Muzaka – Gavazaj, Plaku, Latifi