Kombëtarja e Brazilit do të zhvillojë dy miqësore në fund të këtij muaji, teksa luan ndaj Panamasë dhe Republikës Çeke. Lista e të grumbulluarve është bërë e ditur prej disa ditësh, por dëmtimet e mundshme të lojtarëve bëjnë që kjo listë të ndryshohet herë pas here.
Vinisjus pësoi një dëmtim në ndeshjen që Reali i tij zhvilloi ndaj Ajaksit dhe do të mungojë për dy muaj, që do të thotë do të humbasë dhe mundësinë të jetë pjesë e kombëtares. Vendin e 18-vjeçarit do ta zërë pikërisht kundërshtari me të cilin ndeshej natën që u dëmtua.
David Neres ka marrë ftesën për të qenë pjesë e Brazilit, gjë që ndodh për herë të parë për 22-vjeçarin. Paraqitjet e tij të mira me fanellën e Ajaksit duket se kanë bërë përshtypje dhe për trajnerin Tite, i cili e ka bërë pjesë të ekipit sulmuesin anësor. Padyshim, një vlerësim i madh për Neres.