Besar Musolli është pjesë e Kukësit që kur verilindorët garojnë në Kategorinë Superiore. Mesfushori në fillim të këtij kampionati pësoi një dëmtim në ndeshjen me Teutën dhe iu desh të qëndronte rreth shtatë muaj jashtë fushave të blerta. Ai u rikthye kundër Laçit dhe menjëherë iu dha shiriti i kapitenit.
“E prisja debutimin. Me thënë të drejtën është dëmtim i vështirë, që nuk ia uroj akujt. Ishin emocione të forta, që nuk i kisha përjetuar asnjëherë”, thotë Musolli për RTSH, ndërkohë që më tej flet edhe në lidhje me vështirësitë që ka pasur gjatë periudhës së rikuperimit.
“E kam thënë se është vështirë, por me ndihmën e shokëve dhe familjes ia dola. Trajneri i ri ka sjellë ndryshim, sidomos fitorja me Laçin. Ekziston frika dhe iu shmangësh dueleve, por kam folur me doktorët dhe ata që e kanë kaluar këtë dhe më është thënë se mund të luash në 100 për qind”, shton mesfushori.
Në lidhje me të ardhmen, apo se çfarë ka biseduar me presidentin Safet Gjici, Musolli deklaron: “Ideja ishte të kthehesha të luaja. Kam pasur disa takime me presidentin, më kërkoi të isha pranë ekipit sa më parë. Kaq ka qenë e gjitha”.
“Rinovimi i kontratës? Nuk kemi folur ende. Kisha një dëmtim. Falënderoj ekipin. Si kapiten do marr përgjegjësitë dhe uroj të jem lojtari që do e çoj ekipin sa më lart”, përfundoi Musolli deklaratën e tij. Mesfushori është një nga lojtarët më të dashur për tifozët e Kukësit. Ai ka fituar gjithçka me klubin verilindor.