Sezoni aktual ka rezultuar një makth i vërtetë për mbrojtësin serb Ivan Jakovljeviç. Futbollisti shtatlartë iu nënshtrua një operacioni në gju në maj të vitit të kaluar, dhe pritej që të rikthehej në fushë pas të paktën tre muajsh. Megjithatë, periudha e rehabilitimit nuk shkoi sipas pritshmërive dhe së fundmi mësohet se mbrojtësi është detyruar t’i nënshtrohet një operacioni të dytë.
Ndërkohë, “RTSH Sport”, raporton se mbrojtësi dhe klubi i Luftëtarit kanë ndërprerë me konsensus kontratën që mbaronte në muajin qershor, duke qenë se ndërhyrja e dytë kirugjikale mbyll përfundimisht çdo mundësi për një rikthim të 29-vjeçarit me fanellën e skuadrës gjirokastrite.
Jakovljeviç iu bashkua Luftëtarit gjatë janarit të 2018-ës, pas një viti te Flamurtari. Në gjysmë sezoni te skuadra gjirokastrite, mbrojtësi luajti 17 ndeshje, duke qenë pjesë e formacionit titullar në çdo takim ku u aktivizua nga trajneri i atëhershëm i bluzinjve, Hasan Lika.