Në fundjavën e shkuar, skuadra patosarake u ndesh me Këlcyrën vendase, në kuadrin e javës së 10-të të Kategorisë së Dytë. Këlcyra fitoi me rezultatin minimal 1-0, por sipas trajnerit të Albpetrolit, Elidon Demiraj, atje nuk bëhej fjalë për futboll.
“Në Këlcyrë nuk u luajt futboll. Atje ishte një bandë jo skuadër, që nuk kishte lidhje me futbollin e luajtur, dhe një arbitër i paaftë për ta frenuar atë skandal. Nuk ka ndryshuar asgjë në futbollin tonë, luajmë si 20 vite më parë”, ishte kjo deklarata e Demirajt, i cili këtë ndeshje kërkon që skuadra ta ketë harruar, por si një kujtim që nuk duhet përsëritur.
“Skuadra duhet të shikojë përpara, nuk do të jemi me mendjen te Këlcyra. Me të le të merret FSHF-ja, që e ka futur në garë. Ne po përgatitemi për ndeshjen e radhës me Naftëtarin. Nuk do jetë ndeshje e lehtë, por synimi ynë i vetëm është fitorja”, përfundoi Demiraj fjalën e tij për “SportEkspres.com”. Albpetroli renditet në vendin e 4-t në Grupin B të Kategorisë së Dytë, 7 pikë më pak nga Maliqi kryesues.