Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka folur për “RTSH Sport”, duke komentuar shortin në Europa League, që i ka vënë të kuqtë përballë Botevit të Plovdivit, por ka folur edhe për merkaton.
“Siç e dini të gjithë Partizani po ringrihet dita-ditës, për mua më e rëndësishme është investimi që ne po bëjmë, gjithmonë në funksion të një ecurie sa më të mirë edhe në Europë. Të gjitha skuadrat pothuajse janë të barabarta, kam besim se do bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Ekipet nuk kanë shumë diferenca ,por sigurisht duhet edhe pak fat. Sezonin e kaluar ne arritëm deri në fazën Play-Off të Europa League dhe me pak fat mund të kishim siguruar një biletë në fazën e grupeve. Besoj që këtë vit të ecim edhe më shumë”.
Problem është mungesa e një sulmuesi të jashtëzakonshëm si Ekuban, ende i pazëvendësuar: “Sigurisht që mungesa e Ekuban mund të ndikojë, pasi ishte lojtari ynë më i mirë dhe ishte në formën e huazimit. Nuk u arrit marrëveshja për të qenë i yni edhe për këtë periudhë, ndonëse kemi ende shpresa të vogla për ta rikthyer, pasi vijojnë bisedimet. Është afruar edhe Progni, një lojtar me eksperiencë. Mendoj se nuk kemi bërë ndryshime të mëdha, po të mbani mend edhe vitin e kaluar ne pothuajse me këtë grup lojtarësh arritëm suksese, ndërsa Ekuban qëndronte në stol”.
Nga Moxhi priten lojtarë cilësorë: “Luçiano Moxhi është një nivel i lartë. Jo pa qëllim ne kemi realizuar një marrëveshje 3-vjeçare bashkëpunimi, për të vënë në jetë ato gjëra që Moxhi di t’i realizojë më së miri, për vetë faktin se Moxhi vjen nga një pjacë e lartë e futbollit për të dhënë kontributin e tij në një vend të vogël si Shqipëria. Ai ka filluar me organizimin e klubit nga e para, gjithashtu me pretendimin për të sjellë edhe lojtarë cilësorë. Nuk është aspak e lehtë të sjellësh lojtarë të niveleve të larta në një kampionat si Shqipëria, por unë kam shumë besim që hap pas hapi Moxhi do të realizojë gjëra mjaft pozitive për Partizanin. Konceptin e punës ai e ka njësoj si mua, e shikon si një biznes këtë punë. Ne nuk dëshirojmë lojtarë që thjesht t’i marrim te Partizani për të luajtur në Europë e pastaj në kampionat të kërkojmë të tjerë, por Partizani synon të disponojë një pjesë të kartonit të tyre”.
Milinkoviç është përfolur si trajneri i ri i Partizanit dhe Demi nuk thotë “jo”: “Nuk ka asgjë konkrete, dua të them se gjithë stafi ynë e ka pëlqyer Milinkoviç si trajner për aq sa kemi mundur të shohim. Asnjëherë nuk mund të thuhet “Jo” për njerëz të cilët punojnë mirë, megjithatë nuk kemi kryer asnjë bisedim konkret. Unë do zhvilloj një takim me përfaqësuesin e Milinkoviç. Nuk do të bisedojmë thjesht për këtë çështje, por edhe për mundësinë e bashkëpunimit me agjencinë e cila ndodhet në Austri dhe më duket serioze, por e përsëris nuk kemi diçka konkrete thjesht një prezantim xhentëlmenësh”.