Aleks Del Piero i është rikthyer çështjes së trofeut të lojtarit më të mirë të vitit të dhënë nga UEFA. Fitues u shpall Luka Modriç, por mosmarrja pjesë e Kristiano Ronaldos në ceremoninë e ndarjes së çmimeve krijoi shumë polemika. Ish-kapiteni i famshëm i bardhezinjve jep mendimin e tij për situatën që u krijua dhe është dakord me fituesin e çmimit.
“Nëse Ronaldo do të kishte shkuar në ceremoni nuk do të krijohej asnjë polemikë. Nëse ka patur polemika, do të thotë që dikush ka gabuar. Nuk e di mirë se çfarë ka ndodhur. Di të them që mua do të më vinte inat nëse nuk do ma jepnin çmimin, por të mos marrësh pjesë është një tjetër gjë. Ishte e drejtë ta fitonte Luka Modriç për atë që ka bërë, por dhe Ronaldo zhvilloi një sezon jashtë normales.”
Ylli i Juventusit nuk e ka gjetur akoma golin në tre ndeshjet e para, por ky nuk është një problem sipas Del Pieros, i cili jep idenë e tij për pozicionin e portugezit në fushën e blertë.
“Sistemet tona të mbrojtjes janë ndër më të mirat në botë, nëse jo më të mirat absolute. Ne krijojmë “trafik” në zonë dhe ndoshta ai do të kishte më shumë hapësira dhe do ta ndihmonte të përshtatej më lehtë, nëse luan pak më larg zonës. Në Champions do të jetë ndryshe, sepse ka më shumë hapësira. Skuadrat janë të orientuara drejt mbajtjes së topit dhe do të krijojnë hapësira për kundërsulm që do të shfrytëzohen nga Ronaldo, i cili e gjeti golin kundër Juventusit në finale në këtë mënyrë”, përfundon Aleks Del Piero.