Futbollistë të ndryshëm luajnë me ekipe të ndryshme gjatë karrierës së tyre dhe ndodh që të mbeten gjithmonë të lidhur me një prej tyre. Rodrigo Tadei ka luajtur me Palmeirasin, Sienën, Romën dhe Peruxhian. Sot është 38 vjeç, prej futbollit është tërhequr që nga viti 2014, por Roma mbetet dashuria e tij e madhe.
Braziliani luajti për nëntë sezone në kryeqytetin italian dhe ka vendosur të bëjë një dedikim të bukur për Romën. Ai e ka quajtur një prej qenve të tij me emrin e ekipit dhe qytetit të përjetshëm.
Ish-anësori i krahut të djathtë ka postuar në instagram foton me dy pastorët e tij të dashur gjermanë. Njëri prej tyre quhet Roma (tjetri Irok) dhe kaq ka mjaftuar që të vërshojnë mesazhet e shumta të tifozëve verdhekuq.
Tadei ka mbetur shumë i lidhur me Romën, madje sa herë që vjen në Itali e ndjek ekipin e tij mes ultrasve të “Curva Sud”.