Ish-kapiteni i Romës, Daniele De Rosi, mund të fillojë një punë të re si trajneri i Italisë U21. Kjo e fundit është në prag të eliminimit në fazën e grupeve të Kampionatit Europian U21. Ky eliminim duket fundi i udhëtimit për Xhixhi Di Baxhion, i cili nuk ia ka arritur të marrë maksimumin nga një grup shumë i talentuar lojtarësh, të cilët luajnë thuajse të gjithë titullarë në Serinë A.
Corriere dello Sport raporton se De Rosit do t’i ofrohet roli i trajneri U21 nga Federata Italiane. Kontrata e tij me Romën përfundon më 30 qershor dhe ai do të jetë një lojtar i lirë, ndërsa ka deklaruar se do të vijojë të luajë futboll. Ofertat për De Rosin nuk mungojnë, nga Boka Zhuniors dhe kampionati amerikan, MLS.
Megjithatë, De Rosi mund të qëndrojë në Itali me një rol të ri si trajner i kombëtares U21 të Italisë. Mesfushori kryeqytetas duket se do të ndjekë gjurmët e babait të tij, Alberto, i cili për shumë vite ka qenë trajneri i ekipit të të rinjve te Roma.