De Laurentis thumbon Juven: Nuk kam nevojë të marr borxh 200 milionë euro

Aurelio De Laurentis njihet si një nga presidentët më të veçantë, i cili shpesh është në qendër të vëmendjes. Së fundmi, italiani ka folur për shortin në Europa League dhe ecurinë e ekipit të tij. Në fund, numri një i Napolit, nuk ka harruar të thumbojë edhe rivalët e Juves, teksa ka thënë me ironi që nuk i duhet të marrë 200 milionë euro borxh për një lojtar, duke u referuar te blerja e Kristiano Ronaldos.

EUROPA LEAGUE – “Napoli nuk i frikësohet askujt në Europa League, pasi jemi një ekip i konsoliduar. Luajmë prej nëntë vitesh në Europë dhe kemi një trajner fantastik si Karlo Ançeloti, i cili është i aftë të na çojë përpara. Kemi pasur fat në short, ku do të kemi një eksperiencë në qytetin e bukur të Salcburgut. Nëse shkojmë deri në finalen e Bakut do të ishte kënaqësi e madhe. Nuk është koha për të bërë parashikime tani, pasi është diçka që sjell fat të keq.”

SARRI – “Do të ishte bukur të luanim në finale ndaj Çelsit, duke supozuar që Sarri do të qëndrojë deri në atë kohë. Shpresoj që të qëndrojë dhe të bëjë mirë, sepse Sarri e dashuron punën që bën.”

THUMBIMI PËR JUVENTUSIN – “Do të luftojmë deri në fund. Nëse dikush bie që në pengesën e parë, atëherë ai është një dështim. Nëse nuk do që të jesh dështak, atëherë të duhet të luftosh deri në fund. Nuk fiton vetëm ai që renditet i pari. Të gjithë fitojmë në rast se luajmë me zgjuarsi dhe entuziazëm. E kam fjalën, nëse do të kisha marrë një borxh prej 200 milionë eurosh për të blerë një lojtar, ku do të ishte suksesi? Ideja është që të mendojmë për të gjetur recetën e duhur të suksesit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *