Ditën e sotme është luajtur klasikja e hollandës, teksa përballë janë vendosur Fejnordi dhe Ajaksi i Amsterdamit. Sfida më e rivalizuar në Holandë, ka përfunduar me rezultatin tenistik dhe të pabesueshëm, 6-2.
Fejnordi ka poshtëruar Ajaksin, duke i shkaktuar kështu humbjen e dytë më të madhe të historisë, ku disfata më e madhe është ajo e sezonit 1960/61. Në atë kohë ndeshja përfundonte 9-5. Gjithsesi, për t’u kthyer te ndeshja e sotme, Ajaksi vinte si favorit i madh, ku në ekip ka yje si De Ligt, De Jong apo dhe Tadiç e Zijek.
Sfida nisi mirë për miqtë, të cilët kaluan në avantazh pas vetëm 8 minutash, ku Shëne realizoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Avantazhi nuk zgjati shumë, pasi vendasit përmbysën me dy gola në minutat 16 dhe 31, ku ishte Tornstra dhe Berguis, të cilët shënuan.
Haçim Zijek vuri baraspeshën në minutën e 33-të, ndërsa Van Persi çoi në avantazh përsëri ekipin e tij 3 minuta përpara fundit të pjesës së parë. Spektakli vijoi edhe në fraksionin e dytë, ku Van Persi shënoi golin e dytë personal në minutën e 56-të.
Toni Vilhena mendoi të thellonte akoma më shumë rezultatin në minutën e 75-të, ndërsa Ajub në të 84-tën shpërfytyroi tërësisht Ajaksin. Kështu me këtë disfatë, Ajaksi largohet në pesë pikë diferencë nga PSV-ja e vendit të parë, ndërsa Fejnordi renditet i treti me 39 pikë.