Sfida mes Spanjës dhe Shqipërisë nuk mund të mos përfshijë shumë emocionalisht Xhani De Biazin, një italo-shqiptar i famshëm që tashmë drejton Alavesin në Spanjë.
Radio “Onda Cero” në Spanjë ka biseduar me ish-trajnerin kuqezi, i cili ka folur për ndeshjen e sotme: “Shqipëria do të luajë shumë e mbyllur në mbrojtje dhe do të kundërsulmojë. Spanja ka një ekip të jashtëzakonshëm, natyrisht që është favorite e madhe, e pamë edhe me Italinë sa lehtë fitoi, ndaj Shqipëria është e detyruar të mbrohet”.
Në lidhje me largimin nga Shqipëria: “Ika sepse mori fund ëndrra e kualifikimit për në Kupën e Botës”.
Ndërkohë, De Biazi ka ringjallur Alavesin: “Nuk e di a është rastësi apo fat që Alavesi fitoi ndeshjen e parë sezonale sapo erdha unë. Në një situatë si ajo e Alavesin duhet të’u japësh shumë besim lojtarëve, për t’i liruar nga presioni dhe frika”.
Sërish, De Biazi merr skuadër të vogël dhe në vështirësi: “Jam një person që dua t’i marr gjithçka çdo skuadre që kam në dispozicion dhe t’u nxjerr maksimumin lojtarëve të mi”.