Dashuria kthehet në urrejtje, Luftëtari i hap luftë Milinkoviçit

“Kisha kontratë një-vjeçare, klubi nuk më bëri ofertë të re dhe nuk dëshiroja të qëndroja”, deklaroi sot Mlladen Milinkoviç, pas prezantimit si trajneri i ri i Kukësit.

Kaq? Jo, nga Gjirokastra e mendojnë ndryshe dhe ofrojnë edhe prova, për të hedhur poshtë pretendimet e trajnerit serb.

Klubi gjirokastrit ka shpërndarë për mediat  kontratën e nënshkruar me Milinkoviç në qershorin e vitit 2016, duke theksuar se në pikën 12 thuhet: “Nëse klubi kërkon të përdorë të drejtën e rinovimit automatik edhe për një sezon tjetër, duhet të njoftojë trajnerin me shkrim përpara datës 30 prill 2017”.

Luftëtari konfirmon se klubi kërkoi të përdorte të drejtën e rinovimit automatik, duke njoftuar trajnerin me shkrim në datën 25 prill dhe sipas dokumentit të paraqitur nga Luftëtari, Milinkoviç e ka firmosur rinovimin e kontratës.

Paga e re në kontratë do të ishte 4 mijë euro në muaj, plus bonuset, të lidhur me arritjet e skuadrës. Në dokumentin e paraqitur nga Luftëtari në fund është edhe vula e klubit, bashkë me firmën e presidentit Tavo dhe firma e Milinkoviçit, pikërisht më 25 prill.

Tani Luftëtari konfirmon se do ta çojë çështjen në FSHF, për të kërkuar 100.000 euro dëmshpërblim nga Milinkoviç për prishje të njëanshme kontrate, ndërsa shton se nëse nuk gjen drejtësi në FSHF, do të shkojë në UEFA dhe FIFA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *