PSG pret sot në mbrëmje Realin e Madridit dhe dje në konferencën e zakonshme për shtyp për klubin francez u shfaq edhe mbrojtësi brazilian Dani Alvesh.
Në një kohë që bota e futbollit shpreh keqardhje dhe është tronditur nga vdekja e parakohshme e futbollistit italian të Fiorentinës Davide Astori, Dani Alvesh trondit në mënyrën e tij, duke u përgjigjur në lidhje me pyetjen që iu bë për mbrojtësin fatkeq, i ndarë nga jeta të dielën.
“Nuk njiheshim nga afër, por e gjithë skuadra i qëndron pranë familjes dhe miqve të tij të afërt. Ne vijmë në këtë botë për të arritur diçka dhe kur ia arrijmë, largohemi për të bërë diçka tjetër. Mendoj se Davide bëri atë që duhej të bënte në këtë botë kaotike dhe tashmë ka shkuar në një botë më të mirë se kjo ku jetojmë. Ndoshta la pas disa gjëra shumë të rëndësishme. Një person i admirueshëm na la”.
“Megjithatë, në botë ka mijëra fëmijë që vdesin për shkak se nuk kanë ushqim apo për arsye të tjera dhe mendoj se efektet janë të ndryshme. Ne jemi kalimtarë në këtë botë dhe kur vjen momenti ynë, do të largohemi. Siç e thashë, jam shumë i trishtuar, familja e tij ka humbur një njeri shumë të dashur, ndërsa ne kemi humbur një koleg, edhe pse jemi larg”.
Deklarata të sinqerta, apo hipokrizi? Ndoshta Dani Alvesh mund të tregohej pak më i ndjeshëm në këtë moment, mendojnë shumë njerëz, por shumë të tjerë kanë vlerësuar fjalët e brazilianit, që në fakt nuk janë përkthyer shumë mirë dhe në mediat botërore është bërë shumë zhurmë, duke deformuar disa fjalë.
Dani Alves reacts to the sudden passing of Davide Astori pic.twitter.com/A9Cj6VEOzf
— Goal (@goal) March 5, 2018