Daja: Vila na bën punë, jemi të kompletuar kështu

0

Trajneri i Skënderbeut e ka lënë të hapur edhe ndonjë lëvizje të fundit në merkato, por mendon se edhe kështu ekipi është në gjendje shumë të mirë

Një ditë pas ndeshjes me Beshiktashin, ku të tijtë humbën 3-2, trajneri Ilir Daja ka folur me qetësi për gjendjen e ekipit, për afrimet dhe merkaton në përgjithësi. Trajneri kryeqytetas nuk e ka fshehur entuziazmin për formën që po tregon grupi i lojtarëve, pavarësisht rezultateve në miqësore. Në një intervistë për Sport Ekspres, numri 1 i stolit korçar u shpreh se me ardhjen e Vilës skuadra është e kompletuar dhe nuk është çudi që merkatoja te jetë mbyllur, edhe pse mund të ketë ndonjë lëvizje në ditët e mbetura të saj.

Leonard Trebicka

– Daja, Skënderbeu humbi ndaj Beshiktashit, por ju folët me superlativa për lojën e ekipit tuaj. Përse?
– Përtej humbjes, mund të them se është një fazë përgatitore dhe rezultatet nuk kanë shumë rëndësi. Më shumë rëndësi ka loja dhe forma e ekipit. Për këtë kam qenë i kënaqur. Kam parë në fushë një ekip të vendosur mjaft mirë, por edhe shumë lart nga gjendja fizike. Kemi luajtur ndaj një që vazhdon të luajë në Champions dhe sigurisht ishte e vështirë, por rastet i kemi pasur ne më të mira. Nëse do të kishim më shumë kujdes për rezultatin dhe jo për lojën, do të ishte tjetër histori. Konkluzioni im për atë ndeshje është shumë pozitiv.
– Po për fazën përgatitore në përgjithësi, çfarë vlerësimi keni?
– Jemi duke punuar fort, që në pjesën e dytë të sezonit të kemi të njëjtën ecuri. Po bëjmë një fazë përgatitore të mirë. Ngarkesa apo lodhja është e madhe deri tani, por do të jemi në maksimum kur të rifillojë kampionati. Gjithsesi, deri në fund duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm.
– Mund të veçoni ndonjë lojtar, që ju la përshtypje të veçanta në ndeshjen e fundit?
– Pa përjashtim të gjithë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, edhe lojtarët që janë aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë. Këtë sinjal kërkoja dhe e mora.
– Është aktivizuar Krasniqi, çfarë mendimi keni për këtë lojtar?
– Të them të drejtën, është ende herët të gjykosh një lojtar me kaq pak minuta. Megjithatë, ka karakteristika të mira dhe do të na ndihmojë shumë në pjesën e dytë të sezonit. Është një vlerë që i shtohet ekipit dhe mbetet të përshtatet me mënyrën e lojës sonë.
– Edhe Vila është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Si e shihni këtë afrim?
– Po, është një afrim, që na shton alternativat në lojë dhe do të na ndihmojë edhe ai në vazhdim. Mund ta quaj një afrim të mirë për aq sa edhe unë kam qenë dakord të kemi shërbimet e tij. Ka mbërritur të premten në mëngjes dhe ishte gati për ndeshjen me Beshiktashin, por menduam se ishte më mirë të mos e aktivizonim. Edhe Vila do kohën e vet të përshtatet me skuadrën. Ka vlera dhe këtë nuk e mohoj aspak.
– Sa e ndihmon Skënderbeun një afrimi si ky?
– Vila është një lojtar me potencial, ka luajtur edhe me ekipin kombëtar. Luan në disa pozicione dhe për këtë na bën mirë. Ne presim që Vila të vijë në formën që ka qenë kur ishte pjesë e Kombëtares. Kemi shumë besim tek aftësitë e tij dhe jemi të bindur se do të bëjë mirë së bashku me grupin.
Mos ndoshta është si rasti i Muzakës?
– E keni fjalën që presim të shpërthejë te ne? Po, kemi shumë besim se Vila do të bëjë një sezon të mirë te Skënderbeu, që ka një ambient, ku gjithkush punon i qetë dhe jep maksimumin. Edhe Vila ka mundësi të shpërthejë, por tia lëmë më mirë fushës.
– Me Vilën dhe Krasniqin, a mbyllet merkatoja në hyrje?
– Dua ta pranoj se jemi të kompletuar dhe nuk është çudi, nëse mund të mbyllet kështu merkatoja. Por të shohim çfarë mundësie do të na ofrojë tregu në këto ditë të mbetura. Do të vazhdojmë të kërkojmë të paktën edhe një sulmues. Se çfarë do të ndodhë, nuk jam në gjendje ta them.
– Po merkatoja në dalje? Si do të veprohet me Jashanicën dhe të tjerët?
– Klubi po sheh mundësitë në merkato për sa u përket largimeve. Po shqyrtohen të gjitha pistat për disa lojtarë. Gjithsesi, këto janë punë të klubit. Nëse do të gjendet gjuha e përbashkët si për largimin e ndonjërit dhe për alternativat e zëvendësimit të tij, do të ndërhyhet.
– Edhe pak ditë ju kanë mbetur në Antalia, a po ia arrini qëllimit?
– Sigurisht që po. Shpresoj ta ruajmë këtë ritëm, si në ndeshjet miqësore, ashtu edhe në seancat me ngarkesë që do të vazhdojnë të jenë me intensitet deri më 19 janar. Grupi po më përgjigjet mirë dhe kjo është e rëndësishme për mua si trajner.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.