Daja u gëzohet rikthimeve, por pret ndihmën e tifozëve

Ilir Daja ka folur pas kthimit në Shqipëri, duke analizuar humbjen në Mlada Boleslav: “Po i ndaj me pjesë, një pjesë e parë jo e mirë dhe një pjesë e dytë relativisht e mirë, sepse duhet të kishim qenë më afër zonës së golit. Mendoj që shanset i kemi, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi kemi përballë një ekip që përveç potencialit individual të disa lojtarëve, ka një lojë në grup shumë të mirë në të dy fazat, edhe në fazën e mbrojtjes, edhe në fazën e sulmit.

Për Dajën, formacioni i kompletuar është një avantazh më vete, edhe pse e vlerëson shumë rivalin: “Me rikthimin e lojtarëve të formacionit, si Lilaj e Xhejms, mendoj se kemi shanset tona, por duhet të jemi të kujdesshëm, se kundërshtari e ka bërë një gjysmë hapi duke fituar në vajtje, por mendoj se shanset tona janë 50- 50”, tha ai.

Luhet në Elbasan dhe këtu Daja shpreson shumë te ndihma e tifozëve, që duhet të jenë sa më të shumtë, por edhe sa më të zjarrtë: ““Tifozët? Nuk do mungojnë as në Elbasan. Nga biseda që kam pasur me presidentin, ai ka menduar të afrojë shumë autobuzë falas që të lëvizim tifozët tanë. Do të dëshiroja të bëja apel për tifozët: ashtu si gëzojnë kur të gjithë bashkë shkojmë përpara, ka momente kur duhet të vuajmë të gjithë bashkë, sepse ndonjëherë ka edhe ditë “jo” për ne, kështu që uroj të na mbështetin për 90 minuta, që të jenë një motiv shtesë për lojtarët në fushë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *