Daja premton: Në Andorrë do jetë Skënderbe tjetër

Trajneri i korçarëve kërkon që lojtarët të shërbejnë më shumë për njëri-tjetrin dhe të funksionojnë si ekip

Leonard Trebicka

Në ndeshjen e parë të Europa League, kur Skënderbeu nuk u ngjit në nivelin që prisnin të gjithë, trajneri Daja u ndje keq, por nuk e dramatizon situatën. Ai thjesht kërkon që lojtarët të funksionojnë si grup dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrin, në mënyrë që gjithçka të funksionojë si duhet. Trajneri Daja nuk nxiton ta quajë të mbyllur kualifikimin dhe pret një paraqitje më të mirë në Andorrë, ndërsa sulmuesin e shumëpritur e llogarit për turin e dytë të Europa League. Ja intervista e plotë e trajnerit kryeqytetas për “Sport Ekspres”:   

– Daja, kanë kaluar disa ditë nga fitorja 1-0 ndaj San Julias. E keni analizuar lojën e ekipit tuaj, që nuk ishte në ditën më të mirë?

– Luajtëm një ndeshje dhe kemi më shumë informacion për kundërshtarin. Ky informacion është i mjaftueshëm, që të mos futemi në fushë si në ndeshjen e parë, ku luajtëm me nivel paragjykimi. E kam bërë të qartë pas ndeshjes se mangësia kryesore kishte të bënte me veprimet individuale, sidomos ato në finalizimin para portës kundërshtare. Kemi diskutuar me ekipin dhe besoj se në ndeshjen e kthimit do të jetë në fushë një tjetër Skënderbe. Lojtarët do t’i shërbejnë njëri-tjetrit, në mënyrë që për asnjë moment të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit. Me këtë skuadër që kam, nëse të gjithë janë në funksion të njëri-tjetrit, gjërat shkojnë nën drejtimin e duhur.

– Në atë ndeshje vetëm mbrojtja u duk pa probleme. Jeni dakord?  

– Një ekip funksionon bashkë në të dyja fazat. Aty ku nuk ka ndërtim të mirë nga mbrojtja, ka një farë faji, por edhe kur ka situatë jo të mirë përpara mbrojtjes, nuk është e thënë që mbrojtja nuk ka funksionuar mirë, por gjithë ekipi. Në ndeshjen e parë, ekipi kundërshtar vetëm një situatë ka pasur përpara portës sonë. Kjo do të thotë se në fazën e mbrojtjes ekipi ka funksionuar mirë, problem ishte finalizimi jo i mirë, sepse edhe rastet u krijuan. Gjithsesi, duhet të jemi më altruistë, t’i shërbejmë njëri-tjetrit.

– I trembeni faktit se mund të gjeni një kundërshtar ndryshe në Andorrë?

– Në fakt, stafi teknik trembet, kur ka përballë një kundërshtar më të dobët se ekipi që drejton, sepse patjetër që duhet që ekipi të shkojë përpara. E vetmja frikë që kam është se mos e quajmë ndeshjen të përfunduar, pavarësisht se kemi shënuar vetëm një gol në fushën tonë. Fitorja na ka çuar një hap përpara, por kualifikimi mbyllet pas 180 minutave.

– Fusha ku do të luani ndeshjen e kthimit është më e vogël, siç tha stafi teknik i San Julias. Ndikon ky fakt?

– Të them të drejtën, nuk e kam këtë lloj informacioni. Nëse kjo është e vërtetë, këto 2-3 ditë që na kanë mbetur duhet të ndryshojmë diçka nga manovra jonë sulmuese.

– Të enjten, a do të ketë ndryshime në formacionin e Skënderbeut?

– Janë edhe tri ditë në dispozicion dhe formacioni ndërtohet gjatë gjithë javës. Ne si staf marrim refleksion e lojtarëve gjatë seancave stërvitore dhe do të jenë në formacion ata që gjatë gjithë javës kanë punuar në mënyrën më të mirë. Nuk ka ndonjë paragjykim deri sot se kush do të jetë në fushë të enjten.

– Shumë po flitet për sulmuesin e huaj, që pret Skënderbeu. Çfarë po ndodh realisht?

– Për turin e parë e kemi mbyllur grupin. Sigurisht, në vazhdim na duhet jo vetëm një qendërsulmues, por edhe të tjerë. Duhet të kompletohemi për kampionatin, që ka më shumë ndeshje, duhet të kemi një kontigjent të gatshëm, që në çdo moment të hedhim në fushë lojtarët në rolet e tyre natyrale. Të mos bëjmë spostime të sforcuara.

– Po kur do të vijë ky sulmues kaq i përfolur?

– Thashë që për turin e parë të Europa League lista është mbyllur edhe në UEFA. Duhet të vijë këto ditë ky sulmues, por një lojtar që të bëjë diferencën me ata që kemi.

– Flitet se Skënderbeu ka dy alternativa për një vend. Ju jeni në dijeni për këtë?

– Patjetër që për çdo lëvizje që bëhet te Skënderbeu, jam në dijeni, sepse në fund jap “ok”-in teknik. Trajneri është pjesë e kësaj filozofie edhe këtu te Skënderbeu, kështu që më mirë të shprehemi, kur sulmuesi të jetë pjesë e jona. Po të flasim për alternativa, jemi në nivel paragjykimi.

– Presidenti Ardjan Takaj është shumë i mërzitur me lojën e ekipit në ndeshjen e parë…

– Ka të drejtë, sepse Skënderbeu, në krahasim me kundërshtarin e turit të parë, është shumë herë më i paguar, plus që ka kualitete dhe përvojë në Europë. Presidenti natyrisht që kërkon që ekipi të shfaqet sa më mirë të jetë e mundur, sidomos para publikut korçar. Megjithatë, çdo ditë që kalon, duke qenë se edhe lojtarët kanë qenë me muskuj të ngarkuar pas fazës përgatitore, mendoj se duhet të kapim ritmin e duhur, për të shkuar deri aty, ku jo vetëm tifozët kërkojnë, por edhe presidenti e gjithë në të tjerët.

– Skënderbeu, edhe pse është edhe ndeshja e kthimit, mund të quhet i kualifikuar dhe do të luajë me K.Almatin nga Kazakistani. E keni parë këtë kundërshtar?

– Absolutisht jo. Skënderbeu do të jetë në turin tjetër, kur të mbyllet 90-minutëshi i kthimit dhe nuk kemi pse të shpërndahemi. Do t’i japim kohën e duhur ekipit nga Kazakistani, duke e studiuar deri në detaje. Informacioni që kemi për të është i plotë, por do të flasim kur të vijë koha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online