Ilir Daja pësoi humbjen e dytë sezonale në Europa League, por sërish Skënderbeu luajti futboll dhe shënoi, si zakonisht, ndaj trajneri i skuadrës korçare ka pse të buzëqeshë, edhe pse natyrisht ato 15-20 minuta të para të pjesës së dytë janë një makth që Daja do të mundohet ta analizojë mirë për të ardhmen. Sipas Dajës, u humb beteja e parë, por lufta sapo ka nisur: “Gjatë gjithë pjesës së parë bëmë një punë shumë të mirë dhe jam i kënaqur nga skuadra. Pas pushimit, fatkeqësisht, çdo gjë ndryshoi, por nuk duhet harruar që luanim kundër skuadrës më të mirë të grupit, në transfertë. Kur rezultati ishte 2-1, tentuam të ushtronim presion dhe të barazonim rezultatin, por më pas penalltia mbylli gjithçka. U munduam të freskonim lojën me zëvendësime, por nuk mjaftoi”.
Daja e pranon se duke parë zhvillimin e ndeshjes, mendoi edhe fitoren: “Sot e nisëm pjesën e dytë shumë keq dhe kjo ishte arsyeja pse u mundëm, sepse realisht deri në pushim ishim mirë dhe po e mendonim edhe fitoren. Për më tepër, bëmë dy zëvendësime të detyruara. Po të mos ishte për këto, rezultati përfundimtar mund të ishte ndryshe. Megjithatë, kemi pesë ndeshje të tjera përpara dhe do të provojmë të marrim maksimumin e pikëve, sepse besojmë te vendi i dytë.”