Daja në ankth, dëmtohet Jashanica

2

Mbrojtësi shqetëson stafin teknik, ndërsa stafi mjekësor nuk jep garanci për aktivizimin e tij. Trajneri Daja mendon për Shkodrën në formacion

Leonard Trebicka

Në fakt, ka tri ditë që ka pasur probleme të vogla dëmtimi për futbollistët e Skënderbeut, por që kanë kaluar prej tyre. Disa ditë më parë ka qenë Kristi Vangjeli, që shqetësoi në një moment, por ia doli dhe tani është me grupin. Dy ditë më parë ishte Enis Gavazaj, që mori një goditje, por edhe ai ia doli pa problem. Dje, në ditën e fundit të përgatitjeve në stadiumin “Skënderbeu”, si për ters, është dëmtuar mbrojtësi i qendrës, Bajram Jashanica, i cili nuk arriti ta mbyllte seancën deri në fund.

Në 10 minutat e fundit të stërvitjes, Jashanica shfaqi probleme dhe u detyrua ta lerë stërvitjen në mes. Menjëherë pranë tij ka qenë stafi mjekësor, që ia ka mbuluar këmbën me akull kosovarit. Ky problem i Jashanicës duket se është i përsëritur, pasi që ndaj Mlladës në Çeki ka qenë momenti i parë i shqetësimit për të. Më pas, Jashanica është parë të futet në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që gazeta është interesuar pranë stafit mjekësor të Skënderbeut për të mësuar mbi gjendjen e tij. Ja çfarë tha mbrëmë vonë mjeku i Skënderbeut, Jorgo Pantazi: “Ka probleme për Jashanicën dhe nuk mund të them se do të jetë gati. Do ta shikojmë edhe nesër (sot) në stërvitjen e fundit në “Elbasan Arena”, më pas do të vendosim, nëse do të jetë në fushë apo jo. Gjithçka vendoset pas stërvitjes së fundit.” Kjo do të thotë që Jashanica është në dyshim të fortë për ndeshjen e mbrëmjes së nesërme dhe sigurisht që trajneri Daja dhe stafi i tij janë vënë në “alarm”. Nëse kosovari nuk ia del, do të jetë një humbje e madhe, por fjala e fundit do të thuhet vetëm sot në mbrëmje.

GATI SHKODRA – Bajram Jashanica i ka trembur të gjithë pas dëmtimit që pësoi dje. Ka ndjerë dhimbje në të njëjtën këmbë, që kishte edhe më parë të dëmtuar, ndaj dhe trajneri Ilir Daja ka filluar të lëvizë, pasi duhet të ndryshojë gjithçka, nëse kosovari nuk ia del sot, në seancën e fundit në Elbasan. Në fakt, skema nuk ndryshon. Vendin e tij në qendër të mbrojtjes e zë Tefik Osmani dhe mbrojtja kompletohet. Për vendin e Osmanit në mesfushë gati është Donjet Shkodra ta nisë nga starti. Këto janë ndryshimet e mundshme për ndeshjen e nesërme, por që gjithsesi fjala e fundit do të thuhet sot në mbrëmje, pas stërvitjes së Skënderbeu në Elbasan. Stafi mjekësor po bën të pamundurën, që Jashanica të rikthehet, pasi trajneri Daja ka punuar gjatë gjithë javës me të njëjtin grup lojtarësh. Ndoshta kosovari mund të sakrifikohet për këtë ndeshje kaq të rëndësishme.

Formacioni i Skënderbeut nëse Jashanica nuk ia del:
Shehi – Vangjeli, Radas, Osmani, Mici – Shkodra, Nimaga – Gavazaj, Lilaj, Latifi – Soue

 

You might also like
2 Comments
  1. dsd says

    Mafia kosovare e ka sabotuar ndeshjen ne dobi te kroateve. Kosovaret ja dine lezetin lekut te kroateve.

  2. dsd says

    me mire Bruno ne qender se eshte shkaterrues. Jashanica ben gjoja se ka shit ndeshjen.

Leave A Reply

Your email address will not be published.