Flamurtari u mposht pas dy fitoreve në shtëpi dhe një gjë e tillë e ka mërzitur Ilir Dajën. Trajneri i kuqezinjve ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke analizuar përballjen më Tiranën.
NDESHJA – “Edhe pse me mungesat që jemi mësuar, kemi pasur shanset tona për të shënuar, ashtu si dhe kundërshtari. Besoj se ishim më shumë në zotërim të topit dhe kemi shtyre para, duke ndërtuar nga mbrojtja. Na mungonte një lojtar si Bushiç dhe ndryshuam manovrën. Ishte ndeshje e hapur dhe në fund i buzëqeshi Tiranës me një fitore në fund. Nuk kishim ardhur për një pikë, por sapo mbylla një bisedim me lojtarët e mi dhe i falënderova për atë që kanë dhënë, pasi ka qenë një punë intensive dhe e lodhshme. Do ishte e mira ta mbyllnim me fitore, por ky është futbolli dhe do të shohim që gjatë kësaj periudhe të shtojmë më shumë ato gjërat pozitive që kemi dhe të përpiqemi që të përmirësohemi aty ku nuk kemi qenë në nivelin e duhur”.
SITUATA NË KLUB – “Në Fushë-Krujë e kemi harruar atë ndeshje. Kemi bërë dy fitore në shtëpi. Nuk kemi pasur skuadrën e plotë, pasi edhe lojtarët kur janë në ditë si sot, kur Torasa, Alvesh dhe Kale, nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë fizike, pasi dy vijnë nga dëmtimi dhe Kale nga një periudhë e gjatë pa luajtur. Rasti i Kales është një çudi që ndodh vetëm në kampionatin tonë, në asnjë vend tjetër të botës”.
RASTI I PENALLTISË – “Nuk i mësojmë lojtarët tanë të fitojnë penallti, pasi nuk kemi marrë asnjë penallti gjatë kësaj periudhe. Në përgatitjen para ndeshjes është që nuk përcaktojmë se kush godet penalltinë, e jo më të kërkojmë. Nuk kemi marrë penallti kur rastet kanë qenë. Nuk është faji i lojtarit që shtrihet në zonë, por është lojtari që duhet të markojë pas tij, që lojtari i parë është i shtrirë, t’i vijë në ndihmë, për të mos e lënë kundërshtarin të godasë”.
FINANCAT – “Te Flamurtari janë zgjidhur gjithnjë problemet dhe ngërçi i momentit do të zgjidhet. Besojmë se do të ndodhë diçka e tillë, për të vijuar këtë projekt. Nuk mundet që nga një ekip, që vjet ishte në dy fazat e dyta në luftë për mbijetesë, të kërkojmë titullin. Duhet që të paktën me kontingjentin që kemi, duke shtuar dhe një përgatitje më të mirë fizike të lojtarëve që përmenda më lart, të bëjmë akoma dhe më mirë në dy fazat e mbetura, duke shpresuar të vijojë ky projekt. Lojtarët e Flamurtarit, por edhe ne kemi pak ditë pushimi, pasi kemi punuar fort”.
URIMI – “I uroj komunitetin e futbollit, tifozët dhe këdo për një ecuri sa më të mirë. Uroj që të gjithë së bashku të përcjellim një mesazh për një futboll më të mirë. I uroj mbarësi çdo shqiptari për këtë vit të ri që është në prag”.