Për trajnerin e Skënderbeut, ndeshja e së enjtes është jo pak vendimtare, por për kualifikimin thekson se do të vendoset në “Elbasan Arena”
Leonard Trebicka
Përpara nisjes drejt Maqedonisë, ku korçarët u akomoduan mbrëmë vonë, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka dhënë sërish një deklaratë për ndeshjen me Mladën. Ai ka folur shpesh, do të flasë edhe sot në Çeki, por në çdo deklaratë të tij evidentohet besimi se skuadra që drejton mund të japë edhe më shumë. Trajneri kryeqytetas pret që Skënderbeu të zhvillojë një ndeshje të mirë nesër në fushën e Mladës. Kreu i stolit korçar foli dje për entuziazmin në ekip, kundërshtarin, që e vlerëson shumë, si dhe për shanset e kualifikimit.
ENTUZIAZMI – Trajnerit Ilir Daja gjatë këtyre ditëve i është dashur t’i ulë me “këmbë në tokë” të tijtë, pasi ekipi kaloi në delir me kualifikimin e merituar ndaj kazakëve të Kairatit. Gjithsesi, trajneri i Skënderbeut mendon se lojtarët e tij janë me përvojë dhe dinë ta ndajnë mirë ndeshjen nga ndeshja, edhe kur kanë bërë paraqitje të shkëlqyer: “Entuziazmi është në nivelin e duhur pas atij kualifikimi në turin e tretë, ndërkohë që ndeshja ndaj Mladës ndryshon totalisht. E kam thënë për disa ditë me radhë se çekët kanë një skuadër, që luan në grup dhe për këtë patjetër që e kemi vlerësuar maksimalisht. Duhet të kemi vëmendjen e duhur dhe të jemi të përqendruar 100% te ky takim, pasi Kairati për mua dhe për lojtarët është një çështje e mbyllur prej ditësh. Tani të gjitha “bateritë” i kemi për ndeshjen e së enjtes në Çeki”, – theksoi fillimisht trajneri i korçarëve, i cili besojnë shumë se skuadra e tij do të ecë në vazhdën e lojërave dhe rezultateve të mira. Ai është i qetë, sepse e di mirë se lojtarët e Skënderbeut dinë ta administrojnë entuziazmin në mënyrën më të mirë.
MLADA – Gjatë këtyre ditëve trajneri Ilir Daja e ka studiuar Mladën dhe gjithçka ua ka përcjellë lojtarëve. Ai e di mënyrën e lojës së kundërshtarit: “Materialet i mblodha para disa ditësh dhe tani jemi të qartë si luan Mlada. Prandaj e kam thënë edhe një ditë më parë se skuadra çeke ka grupin. E pashë që ata luajnë si një grup i vetëm. Sigurisht, kanë edhe anët e tyre të dobëta, por që nuk mund t’i deklaroj. I kam porositur lojtarët, që gjithçka ta interpretojnë si duhet në fushë. Nesër (sot) kemi edhe nja analizë të fundit me video dhe mbyllim përgatitjet në Çeki. Për ne nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, pasi po dëgjoj shumë se Kairati ishte më i fortë se Mlada. Jo, këtë nuk mund ta them në asnjë moment, pasi nga ndeshja në ndeshje ndryshon koeficienti i vështirësisë. Për ne Mlada mbetet një kundërshtar i vështirë dhe do të bëjë ç’është e mundur për të fituar në ndeshjen e parë, duke qenë se luan para tifozëve të vet. Ne të bëjmë vetëm detyrën tonë dhe asgjë më shumë. Këtë u kam kërkuar lojtarëve. Nuk shkojmë në Çeki për t’u mbrojtur, por do të bëjmë lojën tonë. Do të jemi shumë të kujdesshëm në mbrojtje dhe do të kundërsulmojmë për të zënë në befasi kundërshtarin.”
KUALIFIKIMI – Kur e pyet Ilir Dajën në lidhje me shanset e kualifikimit, ai përgjigjet: “50% me 50% janë shanset për kualifikim. Kush gabon më pak, shkon në turin tjetër. Nuk mund të flasësh për kualifikimin që në këtë moment edhe për atë se janë dy ndeshje, pra 180 minuta për t’u luajtur. Ne të bëjmë mirë ndeshjen e parë, sepse ka një rëndësi të veçantë, pastaj të mendojmë edhe për kthimin.”