Trajneri kryeqytetas analizon përgatitjet në Stamboll, flet për formacionin dhe vlerëson si tepër të fortë kundërshtarin e së enjtes
Leonard Trebicka
Dje ka qenë dita e tretë e qëndrimit të Skënderbeut në Stamboll, ku korçarët janë duke zhvilluar seancat stërvitore në prag të ndeshjes së të enjtes me Kairat Almatin. Ditën e parë pati një problem me fushën si dhe me Vujoviç, që në fakt tashmë është bashkuar me grupin. Gjithçka i është kthyer normalitetit dhe të gjithë po mendojnë për ndeshjen me Kairatin, kundërshtar që Daja e di fort mirë se është vërtetë i fortë, si nga buxheti, por edhe nga emrat dhe cilësitë e emrave të lojtarëve. Dje nga Stambolli ai ka folur për “Supersport”, duke analizuar rivalin dhe situatën në ekipin e tij.
Përgatitjet
Në lidhje me përgatitjet në Stamboll, trajneri i Skënderbeut do është shprehur se është pozitive për skuadrone tij të stërvitet aty, pasi kanë mundësinë të kursejnë shumë energji. “Problemi i parë i është udhëtimi i skuadrës dhe për këtë jemi instaluar në Stamboll. Kemi kryer seancën e parë stërvitore pas mbërritjes dhe sot kemi zhvilluar edhe dy stërvitje të tjera. Besoj që moskthimi në Shqipëri është një plus i madh pasi na ka kursyer energjitë, duke pasur parasysh edhe udhëtimin e largët drejt Kazakistanit, një udhëtim që shkurtohet duke u nisur nga Stambolli. Kjo është ana më pozitive e ekipit, pasi nuk është një gjë e vogël që të kursesh rrugën për udhëtim, kur kemi parasysh edhe tjetrën që kemi edhe ndeshjen e kthimit dhe duket të kthehemi pas ndeshjes menjëherë në Korçë”, deklaron Daja.
VUJOVIÇ
Përpara ndeshjes së kaluar ndaj Sant Julia, malazezi Goran Vujoviç pati një problem të vogël muskulor, që duket se i është përsëritur sërish. Edhe në ndeshjen e së enjtes mendohet që Vujoviç të jetë sërish e vetmja blerje e verës që do të luajë në formacion, ndërkohë që vetëm të shtunën që kaloi sulmuesi në fjalë nuk bëri stërvitje me ekipin, ndërkohë që dje u bashkua menjëherë. Në lidhje me këto Daja nga Stambolli ka theksuar: “Pjesa më e madhe e formacionit ka qenë ajo që mbylli sezonin e kaluar, pasi e njohin mirë njëri-tjetrin. Sulmuesi Vujoviç ka luajtur vetëm një pjesë loje në Andorrë. Një ditë më parë ka bërë stërvitje i diferencuar për shkak të një problemi muskulor, ndërkohë që sot (dje) është bashkuar me grupin e lojtarëve. Mendoj që edhe në Kazakistan do të mbështetemi – përsa i përket formacionit – në grupin e lojtarëve që kemi mbyllur edhe sezonin e kaluar.”
KUNDËRSHTARI
Padiskutim që vëmendja e Skënderbeut ka ditë që është kthyer te Kairati, ndërkohë që Daja e cilëson kundërshtarin si të vështirë, për vetë emrat dhe buxhetin që ka kjo skuadër: “Do të thosha që niveli në turin e parë të Europa League ishte i dobët dhe këtë e pamë edhe te kundërshtari që ne eliminuam, që ishte Sant Julia. Tani kemi përballë një ekip më të fortë. Mjafton të shikosh buxhetin ekonomik që është disa herë më i madh, por edhe emrat e lojtarëve për të kuptuar këtë. Ata përveçse kanë emra me kualitet, luajnë si grup dhe kanë ekuilibër. Ne do të përpiqemi që cilësitë tona individuale t’i vëmë në funksion të grupit”, ka thënë në mbyllje trajneri Daja.