Trajneri është shprehur optimist për kalimin e turit, por pret gjithashtu që të tijtë të bëjnë ndryshimin e madh në lojë
Leonard Trebicka
“Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe mendoj se jemi plotësisht gati për një ndeshje kthimi krejt ndryshe”, – theksoi dje trajneri Ilir Daja. Atë e ka shqetësuar udhëtimi i gjatë, por edhe fakti që skuadra e tij nuk u stërvit dje në mbrëmje. Gjithsesi, trajneri kryeqytetas beson shumë te grupi i lojtarëve, që, sipas tij, do të flasë një “gjuhë” tjetër sot në fushë.
PARASHIKIMI – Për atë që pret të shohë sot në fushë, trajneri Daja theksoi: “Një javë më parë fituam 1-0 dhe shumë pak u kënaqën me lojën. Nesër (sot) do të jemi krejt ndryshe dhe besoj shumë se do të bindim në fushë si me lojë, ashtu edhe me rezultat. Së pari, do të kërkojmë të kualifikohemi, pasi në raunde të tilla kjo ka vlerë. Pastaj, sa gola do të shënojmë, kjo mbetet për t’u parë. Kam menduar të hedh në fushë një skuadër sulmuese dhe besoj shumë se lojtarët do të dalin në lojën e tyre.”
UDHËTIMI – “Realisht, ka qenë një udhëtim i lodhshëm, por kur luan në transfertë, duhet t’i marrësh parasysh të gjitha. Kemi udhëtuar gjatë gjithë ditës, prandaj jemi një ditë para në Andorrë, në mënyrë që të enjte në mbrëmje të jemi 100% gati dhe të çlodhur, për ta përballuar në mënyrën më të mirë këtë ndeshje kthimi. Nuk kishim si ta linim stërvitjen e fundit pas udhëtimit, pasi e dija që lojtarët do të ishin të lodhur. Kam planifikuar një seancë të fundit stërvitore nesër (sot), në orët e mëngjesit. Do të jetë një seancë shkrythëse, në mënyrë që deri në mbrëmje futbollistët të jenë rehabilituar. Thjesht do të jetë një stërvitje sa të njohim terrenin, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një ndeshje. Asnjë trajner nuk dëshiron të zhvillojë stërvitje ditën e ndeshjes, por këto ishin kushtet dhe i pranuam. Për këtë është njoftuar edhe delegati i UEFA-s, i cili do të jetë i pranishëm në stërvitjen e fundit të skuadrës”, – u shpreh më tej trajneri Daja.
KUNDËRSHTARI – “Skuadra vendëse do të luajë gjithçka në këtë ndeshje, pasi nuk ka çfarë të humbë, do të kërkojnë më të mirën, por jemi të përgatitur dhe nuk mendoj aspak se mund të kenë më shumë forca se në stadiumin “Skënderbeu” një javë më parë. E kemi studiuar tashmë dhe e njohim Sant Julian, ndryshe nga ndeshja e parë. Do të bëjmë ç’është e mundur ta mbyllim sa më parë kualifikimin. Me këtë dua të them se do të kërkojmë të shënojmë sa më shpejt ndryshe nga ndeshja e parë, kur vuajtëm shumë”.
FORMACIONI – “Mund të them vetëm për formacionin se në fushë nga fillimi do të jenë ata lojtarë, të cilët kanë formën e tyre optimale dhe u janë përgjigjur kërkesave të mia gjatë gjithë javës. Cili do të jetë në fushë? Do ta mësoni, kur të nisë ndeshja, por vetë lojtarët e dinë kush do të luajë nga minuta e parë. Për Kairatin do të mendojmë, pasi të kualifikohemi. Mendoj se Skënderbeu do të kalojë më tej, madje jam i bindur, por gjithçka mund të ndodhë, pasi futbolli i tillë është. Nuk duhet t’i lëmë asnjë mundësi kundërshtarit nga minuta e parë deri tek e fundit. Ta mbyllim sa më shpejt kualifikimin. Porositë e fundit nuk i jap ditën e ndeshjen, por më parë. Ekipi e di detyrën dhe pres më të mirën nga ky 90-minutësh, në mënyrë që të jemi gati më pas për ndeshjen e radhës dhe të tregojmë se këtë verë shkojmë larg”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Daja.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Lilaj, Osmani – Gavazaj, Xhejms, Latifi – Vujoviç