Asion Daja ishte ndër të paktët lojtarë të Tiranës, i cili zhvilloi një ndeshje pozitive në derbi, por kjo nuk mjaftoi. Kapiteni i bardhebluve u shfaq i pezmatuar në emisionin “Gol pas Goli”, duke pranuar gabimet e shumta të ekipit të Ze Marias.
Daja ndihet keq për zhgënjimin e tifozëve dhe nuk i mbetet veçse të pranojë dhe respektojë vendimet e tranerit, ndërsa raporti i lojtarëve me të është profesional dhe korrekt.
Zhgënjimi për humbjen – “Normal që jemi të zhgënjyer, na vjen keq për sportdashësit, të cilët i zhgënjyem, por bëmë gabime dhe këto sfida fitohen nga ai që gabon më pak.”
Spostimet taktike – “Janë zgjedhje të trajnerit dhe ne do të bëjmë më të mirën, aty ku na vendos trajneri. Ishte surprizë për mua pozicionimi në krah, por duhen zbatuar urdhrat e trajnerit.”
Atmosfera e vakët në ekip – “Po është e vërtetë, kishte lojtarë të huaj dhe të rinj, të cilët luanin një ndeshje derbi për herë të parë. Na duhej më shumë teknikë, forcë dhe grinte. Trajneri u të hidhte më të mirët në fushë, por kështu shkoi loja.”
Gabime të Tiranës, apo forca e Partizanit? – “Nuk ishte Partizani më i fortë, por lojtarët e huaj dhe të rinj nuk janë përshtatur 100%. Kanë cilësi, por nuk kanë dalë akoma në lojën e tyre.”
Aspekti i rënduar psikologjik – “Siç e thashë më parë, u munduam t’i bëjmë të gjitha gjërat, por nuk ia dolëm. Ishim pak me vonesë, por janë shumë gjëra që ndodhen. Nuk di çfarë komenti të jap, sepse sapo ka mbaruar ndeshja.”
Raportet trajner-lojtar – “Janë raporte normale si çdokund tjetër. Vendimet e trajnerit respektohen dhe kemi raporte pune, korrekte dhe profesionale. Këtë jemi përpjekur të bëjmë.”