Daja: Dimë ta përballojmë presionin, mungesat nuk janë problem

0

Trajneri i Skënderbeut vlerëson kundërshtarin e sotëm, por ka besim se përvoja do ta ndihmojë skuadrën e tij për të marrë 3 pikët e radhës

Leonard Trebicka

Nga Europa League, në kampionat. Skënderbeu luan sot ndeshjen e  javës së 7-të në transfertë me Teutën dhe i duhet rezultat pozitiv për t’u shkëputur nga Kukësin, që e ka barazuar me pikë. Trajneri Ilir Daja do të ketë jo pak, por 5 mungesa në këtë transfertë delikate. Megjithatë, ai beson se skuadra i ka mundësitë për fitore, duke përballuar edhe presionin që mund të jetë krijuar nga afrimi i ndjekësve. Trajneri i korçarëve pret një ndeshje shumë të vështirë, por me besimin për një fitore të radhës në kampionat.

– Daja, luani në Durrës ndeshjen e radhës në kampionat. Çfarë prisni në këtë 90-minutësh?

– Një tjetër takim i vështirë, pasi në kampionat nuk ka më ekipe të thjeshta për t’u kaluar. Teuta ka treguar se di të zhvillojë ndeshje të mira dhe di të marrë atë që duhet të marrë, pavarësisht rezultateve të fundit. Kam parasysh ndeshjen e Teutës ndaj Partizanit. Pavarësisht se humbi, ka zhvilluar në pjesën më të madhe një takim mjaft të mirë, madje mund ta mbyllte që në pjesën e parë.

– Si shkon Skënderbeu në “Niko Dovana”?

– Mund të them se jemi mirë psikologjikisht, pavarësisht se kemi disa probleme nga mungesat, nga Radas e deri te Nespor. Janë 5 lojtarë, që nuk i kemi të gatshëm për këtë takim. Por e rëndësishme është që pjesa tjetër e ekipit është në formë të mirë.

– Nga sa e keni parë Teutën, cilat janë pikat e saj më të forta dhe ato më të dobëta?

Natyrisht, siç veprojmë me çdo ekip tjetër, kemi bërë edhe me Teutën. Koha ka qenë e shkurtër, por jemi mundur të marrim informacionin e duhur dhe të bëjmë përgatitjet e duhura. Teuta ka shumë lojtarë me eksperiencë, të cilët mund të bëjnë diferencën në çdo moment të një takimi. Ka edhe anët e dobëta të saj, që preferoj t’i mbaj për vete para ndeshjes.

– Në ndeshjet e fundit u është dashur të bëni shpesh lëvizje apo rotacion. A është ky një problem për ju?

– Nuk do ta quaja një problem, përderisa boshti i ekipit është mirë dhe gëzon një formë të kënaqshme. Do të ishte i tillë, nëse do të fillonin mungesat nga boshti kryesor i ekipit. Për momentin, duke gjykuar nga fakti që kemi çdo rol të dubluar, nuk preferoj ta quaj më rotacion. Kualiteti të detyron të bësh të tilla ndryshime.

– Teuta ka qenë gjithmonë e vështirë për Skënderbeun…

– Pres një ndeshje të luftuar, por ne do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Ky është i vetmi objektiv për këtë ndeshje, ku janë në lojë të tre rezultatet.

– Kukësi fitoi dhe është barazuar me pikë me ju. A ka presion rezultati mbi ju?

– Të them të drejtën, kur kundërshtari më i afërt fiton, rritet edhe presioni mbi ekipin tjetër. Ka një farë presioni për fitoren, por do të thosha se kam lojtarë me aq shumë eksperiencë sa do të dinë të përballojnë mirë këtë presion të krijuar dhe ta kthejnë në forcë për fitore.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.