Daja: Abazaj e Bregu? Nuk flas pa i pasur në skuadër

Menjëherë pas mbërritjes në Turqi flet trajneri Ilir Daja, i cili nuk ka dashur të zbulojë emrat e tjerë që do të vijnë te korçarët në këtë merkato dimërore

Leonard Trebicka

Ditën e djeshme Skënderbeu ka mbërritur në Turqi për të filluar fazën dimërore, ndërkohë që menjëherë pas mbërritjes dhe pas seancës së parë të zhvilluar në tokën turke, ka folur për gazetën trajneri Ilir Daja, i cili ka në fakt nuk ka dashur ta zbulojë merkaton e skuadrës. Daja nuk ka përmendur asnjë emër të ri që do të vijë te Skënderbeu, madje nuk ka folur shumë as për Abazajn dhe Bregun, dy lojtarë që do të kalojnë në verë te Skënderbeu, teksa përgjigja e tij ka qenë: “Përderisa nuk janë me skuadrën në këtë moment, nuk mund të flas. Për këtë mund të flasin vetëm drejtuesit.” Këto e shumë të tjera kanë qenë fjalët e djeshme nga Turqia të trajnerit të Skënderbeut. Ja dhe intervista e plotë vetëm pak orë pas mbërritjes në Turqi e Ilir Dajës:

 

-Daja, kjo minifazë përgatitore që filloi në Turqi, sa do të vlejë për Skënderbeun tuaj?

-Pa diskutim që do të jetë një fazë me shumë vlera, teksa drejtuesit si gjithmonë na kanë krijuar kushtet më të mira në çdo periudhë dhe edhe këtë herë jemi në Antalia, atje ku do të jemi të përqendruar 100% te faza dimërore. Është me pak fjalë koha për të rigjetur ritmin e duhur pas pushimeve dhe do ta bëjmë realitet.

-Sot (dje) dita e parë e kësaj faze në Antalia. E keni nisur direkt me ngarkesë?

-Për këtë punë kemi ardhur në Turqi. Zhvilluam seancën e parë dhe presim që nesër (sot) të vijojmë me dy stërvitje, të cilat do të jenë prezente ç’do ditë. Kam përgatitur programin stërvitor deri në datën 19 janar që do të jetë edhe dita e fundit e qëndrimit këtu në Antalia dhe shpresoj që të gjithë lojtarët ta përballojnë sa më mirë dhe të kemi sa më pak dëmtime të jetë e mundur.

-Një ditë përpara se të largoheshit nga Shqipëria u materializuan dy afrimet e para, ajo e Dejvi Bregut dhe Kristal Abazajt…

-Nuk është një pyetje për mua kjo që sapo ma bëtë, pasi një përgjigje për këta dy emra mund t’ua japë vetëm presidenti Ardjan Takaj. Për mua janë lojtarë shumë të mirë dhe do të na bëjnë shumë punë nëse do të vijnë te Skënderbeu. Çdo lojtar që ne do të zgjedhim pa diskutim që do të jenë të duhurit, pasi ne marrim ata futbollistë që na duhen dhe që na bëjnë punë. Përderisa unë nuk i kam këtu në Antalia, nuk flas më shumë.

-Është e vërtetë që ata nuk janë me ju në Turqi, por vijnë në fund të sezonit…

-Flasim më mirë për ata lojtarë që ne kemi në përbërje për momentin, sepse për atë se çfarë do të ndodhë deri në maj, nuk bëj dot parashikime. Për mua mbeten lojtarë me shumë vlera dhe kur të jenë nën urdhrat e mia, atëherë mund të flas.

-Ikën Donjet Shkodra dhe huazohet Bruno Lulaj.

-Donjetit i uroj suksese te skuadra e tij e re, ndërkohë që te Skënderbeu gjeti pak hapësira dhe bëri zgjedhjen e vet. Mua më interesojnë vetëm ata lojtarë që kam në ekip dhe jo ata që kanë ikur. Përderisa Shkodra nuk e gjeti veten te Skënderbeu do të gjente një skuadër tjetër, sepse është një lojtar me vlera dhe shpresoj të përshtatet sa më shpejt atje ku është. Sa për Lulajn, edhe për të e dinë vetëm drejtuesit e klubit, sepse janë politikat e klubit dhe ata që janë huazuar deri tani dhe që do të huazohen janë zgjidhjet e të dy palëve, për të pasur sa më shumë minuta në këmbë.

-Ndonjë emër që pritet që të vijë te Skënderbeu?

-Unë po tregohem i drejtpërdrejtë me ju, sepse listën që kishim përcaktuar qysh në fillim ne e bëmë publike. Në këtë listë nuk kishte asnjë risi dhe përderisa edhe këtu në Antalia nuk kam asnjë emër të ri, nuk kam si të flas, sepse nuk e parashikoj dot të ardhmen.

-Atëherë çfarë lojtarësh prisni në Antalia dhe çfarë i keni kërkuar ju presidentit Takaj?

-E kam theksuar edhe herë të tjera dhe e them edhe tani, me kontingjentin që kam ne jemi të plotësuar, por nëse do të kemi ndonjë lëvizje për sa i përket ndonjë shitjeje, sigurisht që do të ndërhyjmë. Edhe një sulmues, apo mesfushor do të na bënte mirë, por unë kërkesat e mia ia kam parashtruar edhe presidentit, prandaj kur të vijmë flasim, pasi duhet të dimë edhe ç’farë do të na vijnë. Skënderbeu në këtë mënyrë është ndërtuar jo vetëm për të marrë futbollistë, por edhe për të shitur, prandaj në fokus jemi në merkaton në dalje dhe nëse ndodh, do të kemi pa diskutim edhe ata që do t’i zëvendësojnë.

-Shtyrja e kampionatit dhe qëndrimi në Antalia edhe tre ditë më shumë, janë një zgjidhje që i bëjnë mirë Skënderbeut?

-Sigurisht që po. Ka shumë vlerë shtyrja e kampionatit për ne dhe kjo na bëri vërtet mirë. Madje mund të deklaroj që është gjëja e duhur që ndodhi, por jo vetëm për Skënderbeun, por edhe për skuadrat e tjera. Ishte shumë afër data që ishte përcaktuar më parë dhe tani që u shty starti, do të punojmë më të qetë dhe kemi kohën e duhur deri në fund të këtij muaji.

-Keni për të luajtur edhe tre ndeshje miqësore. Teste që ja vlejnë?

-Gjatë çdo faze përgatitore ndeshjet miqësore janë ato që e ndihmojnë shumë një ekip dhe një staf teknik për të parë gjendjen e futbollistëve. Edhe ne këto takime do të na vlejnë shumë, aq më tepër që do t’i luajmë me kundërshtarë të fortë dhe atje do të duket realisht edhe forma e skuadrës. Gjithsesi, në këto miqësore nuk më intereson rezultati, por vetëm paraqitja ku shpresoj që të jetë sa më e mirë. Të hënë kemi ndeshjen e parë dhe sigurisht që do të jetë një test që do të vlejë për të gjithë grupin që kemi në dispozicion.

-Së fundi, ky Skënderbe me objektiva kaq madhore, i duhet edhe një merkato e madhe?

-Skënderbeu gjithmonë ka afruar lojtarët që i kanë bërë më shumë punë dhe këtë do të bëjë edhe këtë herë. Ndoshta mund të kemi edhe vetëm një afrim deri në fund, por do të jetë afrim që vërtet do ia vlejë. Unë e theksova edhe më lart që ne e kemi grupin, por të presim se ç’farë do të ndodhë me lëvizjet e tjera. Sido që të ndodhë, ky Skënderbe është ndërtuar vetëm për të fituar dhe titullin do ta kërkojmë deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online