Cvitanoviç: Respektojmë Skënderbeun, por triumfojmë edhe pa Sudanin

0

Si rrallë në dekadën e fundit, Dinamo Zagrebi luan në turin play-off në Europa League, pasi është mësuar të luftojë për një vend në grupet e Champions League. Megjithatë, sot interesimi i medieve kroate ishte shumë i madh dhe trajneri i Dinamos Mario Cvitanoviç nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij.

Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme, por do të bëjmë gjithçka për të kënaqur tifozët tanë, si gjithmonë, edhe pse do të luajmë pa një ndër lojtarët tanë më të mirë, sulmuesin Sudani”, ka deklaruar ndër të tjera në konferencën e sotme për shtyp trajneri i Dinamos së Zagrebit Mario Cvitanoviç.

Mungesa e sulmuesit algjerian është lajmi i ditës: “Sudani nuk do të luajë sepse ka qenë i sëmurë dhe ka disa probleme në kofshë, ndaj nuk mund të rrezikojmë. Çdo lojtar është i rëndësishëm për ne dhe çdo lojtar zbret në fushë vetëm nëse është 100% në formë dhe i gatshëm fizikisht. Synimi ynë, si zakonisht, është të japim më të mirën si skuadër dhe të mendojmë vetëm për lojën tonë”.

Cvitanoviç e respekton Skënderbeun: “Është një skuadër e mirë, me individë cilësorë. Ata kanë lojtarë të mirë nga krahët dhe në qendër, por nuk dua të mendoj për ta, duke të mendoj për skuadrën tonë dhe lojën tonë, edhe pse respekti për rivalin duhet të ekzistojë gjithmonë, jo më kot Skënderbeu ka kaluar edhe Mlada Boleslavin. Ndeshja varet nga ne, çdo skuadër luan mirë nëse e lejon të luajë mirë dhe unë dua që lojtarët të kenë mundësi të japin më të mirën e vet. Kam besim te lojtarët e mi, mund t’ia dalin nesër”.

Në mediat kroate është komentuar gjerësisht sikur Dinamo ka probleme në aspektin fizik, por Cvitanoviç anashkalon qetësisht çështjen: “Ne punojmë përditë dhe e dimë që skuadra ka hapësira përmirësimi. Natyrisht, unë nuk jam i kënaqur, sepse po të isha, nuk do kisha asgjë për të bërë. Asnjë trajner nuk është i kënaqur me skuadrën, gjithnjë lojtarët kanë hapësira përmirësimi. Për mua rëndësi ka që skuadra punon me dëshirë dhe kërkon të përmirësohet në stërvitje”.

Kush e zëvendëson Sudanin? Do ta shihni nesër. Kam 22 lojtarë, plus 3 portierë, të gjithë duan të luajnë, do të mungojnë vetëm Sudani, Olmo dhe Ademi. Mos kini frikë, nuk do luajmë me 10 lojtarë meqë mungon Sudani”.

Zhunior Fernandes – Në krah të trajnerit Cvitanoviç në konferencë për shtyp ishte sulmuesi Zhunior Fernandes, i cili e pranon se ndeshja e nesërme është e rëndësishme dhe Dinamon e pret një sfidë delikate: “Nuk ka dyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë, por kemi punuar shumë dhe investuar shumë për këtë takim, ndaj duhet të bëjmë gjithçka mirë në fushë. Natyrisht, është një ndeshje shumë e rëndësishme edhe për ata, ndaj është normale që të kemi përballë një skuadër që do të japë maksimumin e vet”.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.