Ka humbje të bukura, ku bën gjithçka deri në frymën e fundit, por ka edhe humbje të shëmtuara, si ajo e Vllaznisë ndaj Teutës dhe kjo e mërzit më shumë trajnerin shkodran Armando Cungu: “Më vjen keq, u kërkoj falje tifozëve, sepse ishin të shumtë dhe meritonin ndeshje tjetër. Mund të humbasësh duke luajtur mirë e duke sulmuar deri në fund, por jo të humbasësh si ne sot, sepse kemi luajtur mirë vetëm 10-15 minuta e shumta. Tifozët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer, por nuk u japim dot Vllazni të madhe, këto mundësi janë. U munduam në verë për përforcime, nuk afruam dot gjithë lojtarët që deshëm. Uroj që tifozët të mos na braktisin, edhe pse e di mirë që është e vështirë t’i kthesh në stadium pas humbjesh të tilla.
“Kam kërkuar gjithnjë të jem i matur në deklarata pikërisht për këtë arsye, e njoh mirë skuadrën time dhe nuk duhet të ëndërrojmë kot, nuk jemi skuadër për kreun e renditjes. Na mungon një sulmues goli, nuk mundëm të gjenim lojtarin e duhur në verë.
“Skuadra ishte nervoze, presioni ishte i madh sidomos për lojtarë si Hasani e Vucaj, që kthehen pas shumë kohësh në Shkodër dhe emocionet i kishin të mëdha, ndaj ndoshta nuk dhanë atë që pritej”.