Cungu: Situatë e mjerueshme, zor se do të ndryshojë gjë në Shkodër

Paraardhësi i Ernest Gjokës flet për ngjarjen e djeshme: “Trajnerët janë të vetëm dhe askush nuk u gjendet afër. Nuk mund të ndodhin situata të tilla te një skuadër që ka president.”

Para Gjokës e kishte vuajtur në kurriz Armando Cungu. Ish-trajneri i  Vllaznisë shpërthente shpesh para gazetarëve, duke u ankuar për gjithçka dhe duke lëshuar në kod alarmin se në Shkodër nuk është thjesht problem futbolli, ka shumë gjëra që nuk shkojnë, jashtë fushe, jashtë klubit. Presionet e kërcënimet i ka provuar edhe Cungu, i cili tha “mjaft” para pak muajsh, duke hapur rrugë, ndërsa tashmë nuk befasohet fare nga ngjarja e rëndë me Gjokën, pasi siç e thotë vetë, “Vllaznia është e shtëpisë së fëmijës”. Për gazetën, Cungu flet gjerë e gjatë për Vllazninë dhe kaosin që e rrethon, me trajnerët që janë më të dëmtuarit nga gjithë kjo situatë.

 

– E patët paralajmëruar një episod të tillë, çfarë mund të thoni në lidhje me këtë situatë, e prisnit?

– Për dy vite që isha këtu kam pasur problematika nga më të ndryshmet. I përballova deri në momentin që u largova, pasi e pashë që ishte e papërballueshme për të vazhduar më. Është diçka jashtë logjikës. Kam jetuar për dy vite me këto halle, me këto telashe. Më vjen keq edhe për kolegun. Janë këtu për të bërë detyrën e tyre, por në këto kushte është e pamundur për të punuar. Fatkeqësisht, trajnerët janë të vetëm dhe askush nuk u gjendet afër. Duke mos pasur një zot shpie është shumë e lehtë që të bëjë keq. Është situatë e mjerueshme, s’kemi ç’bëjmë kjo është.

Ishte folur për kërcënime, por nuk kishte degraduar deri në këtë pikë…

– Kam jetuar për dy vite me situata të tilla. Kam treguar gjithnjë, por pakkush më ka vënë veshin sepse shumëkujt nuk i ka pëlqyer. Edhe në Tiranë është vështirë që të vijë zëri nga Shkodra. Duhet të shkojë deri këtu që të merret vesh situata. Edhe unë kam qenë në kushte të tilla. Është një situatë që nuk është mirë për të thënë se u bë e madhe, por shyqyr që ka shpëtuar kolegu dhe nuk ka asnjë problem. Njëkohësisht, shyqyr që është bërë kaq e madhe. Shpresoj që të veprojë dikush, por nuk besoj. Situata ka për të qenë po e njëjtë sërish, fatkeqësisht.

– Me se lidhen krijimet e këtyre situatave?

– Të them të drejtën nuk e di, por unë kam pasur probleme nga më të ndryshme si sportive, politike, të shumë drejtimeve. Ika nga Vllaznia pasi nuk mund të punoja në kushte të tilla. Nuk mund të punohet në kushte të tilla, nuk mund të marrësh rezultat. Nuk e di se kur do e kuptojnë njerëzit diçka të tillë. Vllaznia duhet të falet. Kam qenë që në fillimet e mia këtu që kam thënë se duhet të matet mirë Shkodra, për të mos ia dhënë kujtdo Vllazninë, siç ndodhi me “GEA Sport” që e lanë në rrugë me shumë borxhe. Është mirë që tani t’i falet Vllaznia dikujt që mund t’i dalë për zot. Nuk mund të ndodhin situata të tilla te një skuadër që ka president. Nuk mund të afrohet askush, as te trajneri dhe as te lojtarët. Këtu mund të ndodhë çdo gjë. Kam pasur situata nga më të ndryshme, me individë, faqe, nga politika po ashtu. Nuk kam folur për Vllazninë që kur kam ikur dhe duhet të rri sërish në një farë mënyre sërish në heshtje, për të mos e sharë Vllazninë, sepse duket sikur flas keq për familjen time. Nuk ka dashur njeri të dëgjoja kur flisja për të tilla situata.

– Nëse do të ishit në vendin e Gjokës, si do të vepronit?

– Kam pasur disa momente të tilla. Jam mundur t’i dal zot vetes edhe nga miqtë që kam pasur afër por vjen një moment që lodhesh, lodhet familja. Nuk isha më i fokusuar te puna. Mund të ndodhte çdo gjë në fushën e stërvitjes. Shpeshherë s’e kisha mendjen te lojtarët, por rreth fushës, se kush po vjen e kush po më del para. Shpesh edhe me gazetarët. Edhe gazetarëve u dilte telefoni mbyllur, për këto problematika. Kanë qenë kushtet e atilla, jo se nuk kam dashur të flas. E kam thënë dhe më parë, Vllaznia nuk është e Armando Cungut, nuk ma ka dhënë baba dhe s’ma ka lënë as nëna, por e të gjithë shkodranëve e duhet t’i dalin për zot. Me sa duket fjalët e mia i ka marrë era e nuk i kanë marrë për seriozisht. Shpresoj që ta kenë kuptuar shumëkush në Shkodër.

– Kjo është Shkodra, profesor?

– Kjo nuk është Shkodra. Shkodra është e qytetarëve të ndershëm, atyre që janë rrugëve të Shkodrës. Por janë dhe një grup njerëzish të caktuar. Vllaznia është e shtëpisë së fëmijës, nëse mund të them kështu, me dyer të hapura dhe ndodhin këto gjëra. Këto situata mund të ndodhin në çdo qytet ku nuk ka president. Mund të ndodhin dhe gjëra më të vështira. Të vijë një president dhe do e shihni se nuk do të ketë më probleme. Është dashur të jesh vetë president, vetë president, vetë shofer, vetë punëtor dhe vetë t’i dalësh zot vetes. Nuk duhet me menduar vetëm punë trajnerit, por të bëjnë 100 profesioni, ndoshta dhe më të rëndomtat. Nuk është e lehtë të punosh në këto kushte te Vllaznia. Ishte e pamundur për të qëndruar më gjatë te Vllaznia. Erdha me mish e me shpirt për të bërë gjëra pozitive. Situata të rrëshqet atëherë kur nuk e pret, që nga pretendimet për të arritur vendin e katërt. I kam bërë arsyet publike dhe në TV, kush ka dashur i ka kuptuar fjalët e mija, kush nuk ka dashur skam çfarë t’i bëj.

– Sa do të ndikojë kjo te ecuria e skuadrës?

– Nuk është një situatë e mirë për klubin, por nuk është një situatë e re. Ka më shumë se dy vite kjo situatë. E kanë përjetuar dhe lojtarët. Nuk është  mirë situatë. Si dy rezultate e mira, duhet të them shyqyr që erdhën sepse ishte situatë kritike. Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Janë dy rezultate pozitive me dy skuadrat fundit të tabelës. Rreziku është ende aty nuk do isha dakord që janë tentativa për të dëmtuar Vllazninë. Me një rezultat të mirë në Shkodër mendon për kampion dhe me një humbje të hapin gropën dhe të fusin direkt brenda. Presin ceremoninë mortore. Duhet të jemi më serioz. Nuk është diçka e organizuar, nuk besoj. Janë individ të caktuar që mund të kenë arsyet e tyre, në situatat që kanë qenë në vazhdimësi, nuk janë të reja.

– U vënë shumë vite që Vllaznia ka si objektiv mbijetesën, deri kur mund të vazhdojë kështu?

– Vllaznia ka shumë vite me Bashkinë që synon mbijetesën. Vjet Vllaznia mendonte për Kupat e Europës. Duke mos pasur zot shpie nuk gjenim pikë, ndërsa skuadrat e tjera shumë pik nga ne fitonin të gjitha ndeshjet  në 6 javët e fundit dhe më pas shkuam deri te gjendja në fund. Nuk ka njerëz që rrinë mbi kokë. Kam frikë se do vazhdojë kjo situatë. I duhet dhënë shansi një privati që të Vllaznia të ketë një president. E uroj publikisht që të vijë sa më shpejt sepse kjo situatë nuk është e mirë. Sado i aftë të jetë sado profesionistë në këto kushte nuk mund të punohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *