Trajneri Armando Cungu, ka folur në konferencën e zakonshme në prag të ndeshjes me Kamzën. tekniku shkodran nuk kishte si të mos fliste për dëmtimin e Besar Musollit, duke treguar se i ka prishur jo pak llogaritë e tij. Sa i përket objektivave, timonieri i verilindorëve e thekson se skuadra duhet që të marrë maksimumin në çdo ndeshje nëse do të që të shpallet kampion.
Po ashtu Cungu ndihet disi më i lehtësuar që kapiteni Ylli Shameti do të jetë i gatshëm për këtë sfidë, duke theksuar se gjirokastrit është si një trajner në fushë.
GJENDJA E SKUADRËS – “Gjendja e skuadrës është e mirë, normale, por besoj se jeni informuar, për dëmtimin e Musollit, që është një dëmtim jo i lehtë për të. Natyrshëm që keqardhja e parë vjen për lojtarin, por dhe për ekipin e Kukësit, pasi ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Pjesa tjetër e skuadrës është në formë mjaft optimale”.
REXHINALDO – “Përderisa luajti në ndeshjen me Teutën, nuk ka arsye pse të mos jetë në 100% në këtë ndeshje”.
ALTERNATIVAT NË MUNGESË TË MUSOLLIT – “Synimi kryesor ky ka qenë, pasi gjatë javës kam pasur dilema për të caktuar lojtarët që do të përbëjnë repartin e mesit të fushës. Megjithatë, me mundësitë që jemi do të mundohemi të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme për takimin me Kamzën”.
EUFORIA – “Besoj se kemi të bëjmë me një ekip profesionist, me lojtarë profesionistë, që janë mësuar të fitojnë, dinë të dalin kampion. Nuk ka vend për eufori. Jam i bindur se duhet të këmbëngulim si në çdo ndeshje për të dalë fitimtarë. Në çdo ndeshje jemi vetëm për fitore të bindur”.
PERFORMANCA E MIRË – “Kukësi është përmirësuar dukshëm dhe normalisht që vend për më mirë ka gjithnjë, si te ne apo dhe te skuadrat e mëdha si Barcelona apo Reali. Kemi shumë punë për të bërë, pasi kemi një kampionat mjaft të vështirë. Të gjitha ekipet dinë të luajnë futboll dhe kanë cilësi në skuadrat e tyre. Nuk është e lehtë si të përballesh me Kamzën apo Kastriotin dhe çdo ekip tjetër. Duhet të jemi serioz si në fushën e lojës ashtu dhe në stërvitje dhe nëse do të jemi të tillë gjatë gjithë kohës jam i bindur se do të bëjmë mirë”.
OBJEKTIVAT – “Për të arritur objektivat, për të dalë kampion duhet të pretendosh maksimumin në çdo ndeshje dhe nëse nuk arrihet do të jetë në favor të kundërshtarit. Kampionati sapo ka nisur, por nuk ka kohë për të bërë hapa fals. Nëse do të dalësh kampion duhet të jesh në maksimumin tënd që në ndeshjen e parë. Do tentojmë të marrim maksimumin javë pas jave”.
RIKTHIMI I SHAMETIT – “Patjetër që rikthimi i Shametit na qetëson. Ashtu si Musolli, edhe Shameti është një lojtar me shumë eksperiencë, shumë i rëndësishëm për mbrojtjen dhe gjithë skuadrën, pasi është një lider. Është një trajner në fushë nëse mund të thuhet. Gjysmë buzëqeshje kam pasur këtë javë, pasi dëmtimi i Musollit na ka shqetësuar shumë”.
ORGANIKA – Trajnoj 25 lojtarë dhe duhet të jenë gati për të pritur mundësinë e tyre, që të tregojnë vlerat e tyre dhe të ndihmojnë grupin. Duhet të shfrytëzojnë momentet që i jepen në maksimum. Futbolli i tillë është, pasi do të kujtoj një rast pak vite më parë. Manuka ishte titullar, ndërsa Hoxha rrinte në stol. Manuka u dëmtua në gju që në javën e tretë dhe Hoxha u bë lojtari më i kërkuar për dy vite në Shqipëri., Lojtarët duhet të shfrytëzojnë mundësinë dhe fatin që kanë”.