Cungu: Gabuam vetëm te goli, lojtarët të pranojnë konkurrencën

Armando Cungu u shfaq në ekranin e Supersport pas humbjes me Flamurtarin. Në emisionin “Gol pas Goli” ai u shpreh se ekipi i tij bëri një ndeshje të mirë, por nuk shënuan dot. Ai foli edhe për problematikat e tjera, modulin e lojës dhe terrenin.

“Ekipi zhvilloi ndeshje të mirë, gabuam te kornja e kundërshtarit. Nuk e zgjidhëm si duhet dhe u ndëshkuam. Në asnjë moment ata nuk ishin dominues. Ne ishim më dominant, e kërkuam golin dhe na mungoi. Është pak një pikë në dy ndeshje. Rivalët kanë marrë pikë. Fillimi nuk është ai që doja. Ka vështirësi, por do vazhdojmë të shohim përpara”.

“Problemet? Mund t’iu përgjigjem për ndeshjen, jo për kontratat. Nuk i kam bërë unë. Fryma e grupit, a ka qetësi? E kam theksuar që nuk ka arsye të ketë probleme. Kush është profesionist duhet të pranojë konkurrencën. Unë duhet të mbroj pjesën e shëndoshë të ekipit. Kush nuk i bindet rregullit dhe kësaj ideje, e largon futbolli, askush tjetër”.

“ Moduli? Nuk u gjetëm të papërgatitur. Kaluam në 4-4-2 në pjesën e dytë. Në fund kaluam 3-4-1-2. E dija që mund të kishim probleme. Ekuilibrat u prishën në fund me daljen e Rrumbullakut. Gjithsesi ne tentuam të dalim para, morëm dy korne. Por në fund nuk vlen asgjë nëse nuk shënon. Nuk jam dakord që Kukësi ishte apatik, madje pashë një ekip më lart se kundërshtari. Ishim 8 lojtarë prapa dhe Alla u gjend i vetëm në momentin e golit”.

“Terreni? Lë për të dëshiruar. Ne japim udhëzime që të kenë kujdes lojtarët kur të kthejnë topin prapa. Nuk luhet futbolli me topa të gjata”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *