Vetëm një mundësi kishte që largimi i Peter Pakultit të mos irritonte tifozët e Kukësit dhe ajo ishte rikthimi i Armando Cungut në krye të ekipit. Shkodrani ka bërë historinë me Kukësin, pasi ishte trajneri i parë në Superiore, që jo vetëm e nxori ekipin nënkampion që në debutim, por kaloi dhe 3 ture si askush tjetër më parë deri atëherë. Rikthimi vjen në një moment ndoshta jo shumë të përshtatshëm, por sikleti i parë u kalua me sukses. Tani vjen një sfidë akoma dhe më e madhe: Karabaku. Në një intervistë për “Sportekspres.com” timonieri i Kukësit flet për gjendjen e skuadrës dhe më gjerë, duke treguar dhe planet për të ardhmen, si dhe shanset për kualifikim me azerët. Nuk mund të lihej jashtë vëmendjes as një koment i shkurtër për gjendjen e Vllaznisë, ku Cungu ka punuar për shumë vite.
Profesor, si e keni pritur këtë rikthim në Kukës pas kaq vitesh?
E prita me kënaqësi ftesën e presidentit të Kukësit, që të tregohem realist. Dihet që kam kaluar një periudhë shumë të mirë dhe shumë të suksesshme këtu dhe natyrshëm që mbresat dhe respekti për këtë klub ka qenë gjithnjë edhe pse kam qenë në skuadra të tjera. E prita me shumë dëshirë edhe për ambiciet që ka klubi i Kukësit dhe normalisht duke shpresuar që të jap kontributin tim për ta çuar këtë skuadër sa më lart të jetë e mundur si në Kupat e Europës ashti dhe na kampionat.
Ju kemi parë që ndërhyni shpesh gjatë seancave stërvitore, ende nuk e ka kuptuar skuadra filozofinë tuaj?
Nuk është situatë filozofie, pasi është një situatë jo shumë e qartë sa u përket lojtarëve në fushën e lojës. Ka vështirësitë e veta ekipi. Nuk është lidhur akoma. Ka pasur shumë lëvizje dhe kanë ikur pikat e referimit nëse mund të them kështu, ku ka qenë mbështetur loja e Kukësit. Janë vështirësi jo të vogla. Megjithatë, jam me shpresë dhe jam i bindur se presidenti ka bërë gjithnjë maksimumin dhe kemi diskutuar si me presidentin dhe me drejtorin për të afruar sërish lojtarë kualitativë, që bëjnë diferencën dhe marrin përgjegjësi.
Pra, jeni disi i pakënaqur me merkaton që është bërë deri më tani? A mund të themi se mund të largohet ndonjë lojtar nga ata që janë afruar?
Nuk ka qenë pjesë e punës time ajo pjesë dhe nuk më mbetet mua ta them. Kjo gjë do të shihet në fushën e lojës. Ekipi ka vështirësi dhe shpresoj që sa më parë të jetë e mundur për t’u afruar lojtarët për t’i shërbyer skuadrës si për Kupat e Europës ashtu dhe për kampionat mbi të gjitha. Sa më vonë që të vijnë këto lojtarë, aq më shumë në kurriz të ekipit të Kukësit do të jetë.
Pamë një skuadër me detyra strikte në mbrojtje dhe me presing pak lart, do jetë kjo taktika?
Do ta shohim, ende nuk e kam vendosur as vendosjen që do të kemi në fushë, as për mënyrën e lojës. Do të jemi shumë të kujdesshëm, pasi e kemi parasysh se kemi kundërshtar një ekip me shumë potencial dhe që është pjesëmarrës i rregullt në Kupat e Europës çdo edicion, madje deri në fazën e grupeve të Champions League-s, ndaj është shumë me rëndësi që të mos pësojmë gol, çka do ishte shumë pozitive. Me mundësitë që kemi do mundohemi që të bëjmë më të mirën e mundshme.
Afrimi i Rexhinaldos ka qenë një kërkesë e juaj specifike para se të merrnit ekipin?
Siç e thashë, ne kërkojmë për ta forcuar ekipin me lojtarë cilësorë që marrin përgjegjësi dhe një prej tyre ka qenë Rexhinaldo. Kemi pasur ide dhe për individë të tjerë, por që nuk u bënë të mundur për shumë arsye. Dua ta sqaroj, jo për arsye të Kukësit, për shkak të dëshirës apo anës ekonomike, por se kanë zgjedhur ekipe të tjera dhe nuk ia vlen që t’i përmendim. Rexhinaldo ishte në 2-3 lojtarët që i kishim alternativa. Ai ka bërë dy edicione shumë të mira dhe në kampionatin e fundit ka shënuar diku tek 20 gola. Është një lojtar që ka kualitet në këmbët e tij dhe uroj që t’i shërbejë ekipit tonë.
Duke njohur forcën e kundërshtarit dhe duke parë situatën që ka Kukësi aktualisht sa janë shanset për kualifikim dhe a mundet Cungu të bëjë mrekullinë si 5 sezone më parë?
Unë kam bërë gjithnjë më të mirën time kudo ku kam qenë. Njohuritë dhe dijet nuk më mungojnë, por duhet të dini që është si një luftë ku duhet të shkosh me lojtarë të përgatitur. Nuk mund të funksionojë një trajner nëse nuk funksionojnë siç duhet lojtarët në fushën e lojës. Jam i kënaqur për momentin për seriozitetin, gatishmërinë, dëshirën e djemve në fushën e lojës dhe në stërvitje. Kjo më mjafton për momentin, por nuk është gjithçka. Pres nga lojtarët që duhet të bëjnë diferencën. Do mundohemi me mundësitë që kemi t’i bëjmë ballë kundërshtarit. Në futboll nuk i dihet kurrë.
Ka pasur një objektiv Cungu kur erdhi te Kukësi? Ishte Valeta detyrim, apo ka një objektiv akoma dhe më të madh?
Objektivat nuk mungojnë asnjëherë. Oreksi vjen duke ngrënë, objektivi i parë ishte kalimi i Valetës dhe ngulnim këmbë me gjithë shpirt, pasi flitej për një buxhet diku tek 1 milion euro, të cilit do i shërbenit jo vetëm presidentit që investon vit pas viti dhe do i kthenim diçka. Ishte e moralshme në radhë të parë, por jam i bindur se ato lekë do të hidhen për të bërë një ekip akoma dhe më të fortë. Ishte detyrim moral, profesional. Kur kalon turin dëshirën dhe seriozitetin do e kesh akoma dhe më të madhe për të shkuar dhe më tej. Në futboll kurrë nuk i dihet. Në Botëror pamë që ekipet e mëdha u eliminuan shumë shpejt dhe shkuan larg ekipe që nuk i kishte llogaritur njeri as në hartë. Futbolli është i çuditshëm, pse të mos bëjmë dhe ne çudi.
Mund të zhvendosemi pak te Vllaznia, ky pasivitet të bëjë që skuadra të mbetet në atë batak ku është aktualisht?
Më vjen keq për Vllazninë, për ata djem që e kanë çuar emrin e skuadrës aq lart. Më vjen keq për djersën time, të shokëve të mi dhe të gjithë brezave të mëparshëm që kanë dhënë maksimumin për Vllazninë, por në fakt kështu po vazhdon dhe nuk gjej dot fjalë. Nuk dua të shprehem keq dhe më mirë të rri në heshtje. I lutem zotit që ndoshta ndonjë person mund të ndryshojë diçka. Çdo ditë e shoh akoma dhe më në vështirësi. Kjo situatë nuk i shërben futbollit shqiptar, pasi flasim për një emër të madh siç ishte Tirana. Do të ishte turp për futbollin shqiptar, por nëse nuk do të ketë turp vetë Vllaznia, nuk ka çfarë i bën as futbolli shqiptar Vllaznisë.
Pse nuk besojnë shumë tek të rinjtë në Shqipëri?
Mendoj se Vllaznia u ka besuar më shumë se të gjithë të rinjve. Ka qenë ekipi më i ri. edhe Partizani ka disa individë cilësorë. Për t’i aktivizuar nuk duhet të ketë paragjykime, i ri apo i vjetër., mund të ketë lojtarë që bëjnë diferencën. Nëse një lojtar i ri bën diferencën nuk ka nevojë për t’i dhënë dorën trajneri, e fiton vetë fushën. Gjithsesi, duhet dhe eksperiencë dhe pjekuri, pasi jo të gjithë janë gati. Kur duhet rezultat nuk mund ta marrësh me shumë lojtarë të rinj. Duhen lojtarë që e mbajnë presionin, dinë të fitojnë dhe kjo është arsyeja mendoj.
Intervistoi: Jurgen Zela