Vllaznia zyrtarizon largimin e Cungut, stafetën e merr Gjoka

Mbyllet aventura e Cungut, mes shumë luhatjesh e pakënaqësish. Gjoka nis një tjetër “mision impossible”, pasi në Shkodër situata është mjaft e ndërlikuar

Cungu thotë “mjaft”. Gazetarët e pyetën që pas ndeshjes në Kamzë: “Mos tingëllon si dorëzim kjo shfryrje kundër të gjithëve”? “Jo, unë nuk dorëzohem”, u përgjigj Cungu, por ndërkohë me siguri po mendonte “Por edhe kështu nuk vazhdohet”. Ka vendosur ta mbyllë me kaq Cungu, pas thuajse dy vitesh në drejtim, ku ditët e gëzuara kanë qenë me pikatore. Ka pasur një moment të madh feste në maj, pas barazimit ndaj Tiranës, ku Vllaznia siguroi mbijetesën, por a ia vlente ai gëzim, a ishte i tillë, apo thjesht çlirim për evitimin e katastrofës, njollës historike që do të mbetej mbi protagonistët e dështimit të mundshëm? Sezoni i ri ka nisur po aq keq sa u mbyll i vjetri: lojë e dobët, asnjë sinjal përmirësimi, entuziazëm zero dhe… koha për dorëheqje. E dha, më në fund Cungu, edhe pse kishte kërcënuar disa herë në të shkuarën se do ta bënte. Kështu nuk vazhdohet, edhe vetë ai e ka kuptuar me kohë, sepse Vllaznia është pa president, me financa modeste, pa asnjë plan e strategji, edhe talentet i ikin “qyl”. Më mirë një fund i hidhur në tetor, sesa një hidhërim pa fund deri në maj, në pritje të një mbijetese tjetër “me zemër në dorë”.

BASHKIA – U menduan gjatë, donin edhe marrëveshjen me trajnerin e ri, por drejtuesit e klubit e kishin pranuar largimin. Gjithçka e mbyllur, zyrtarizuar me një lajmërim të shkurtër sot, ku falënderohet Cungu për punën e bërë dhe i urohet sukses në të ardhmen.

GJOKA THOTË “PO” – Në fakt, deri mbrëmë nuk pati njoftim zyrtar nga klubi, as nga bashkia, si për dorëheqjen e Cungut, ashtu edhe për kandidatët e rinj. Mungesë totale transparence, pak rëndësi ka, shumë gjëra bëhen ashtu në Shkodër e gjetkë në Shqipëri. Kryebashkiakja Ademi e kishte në skrivaninë e saj dorëheqjen e Cungut për orë të tëra, por priti, nuk dha asnjë përgjigje gjatë gjithë ditës së djeshme. Prirja ishte për të pranuar dorëheqjen e Cungut, por duhej gjetur pasardhësi. Trajner shkodran sërish? E pamundur, presion i jashtëzakonshëm, që edhe Cungu me zor e përballonte, për të mos thënë që vuante nga presionet e ndërhyrjet e shpeshta për aktivizim “jashtë radhe” të ndonjë lojtari. Trajner i huaj? Nuk bëhet fjalë, kush e merr përsipër një skuadër që nuk e njeh fare, në një kampionat ku nuk ke kohë të ambientohesh? Zgjidhja e vetme ishte… Ernest Gjoka. Trajner ekspert, kampion në fuqi, një garanci. Nuk do të luftojë për titull, këtë e dinë të gjithë, por Gjoka është mësuar të luftojë edhe në kushte të vështira, kujtoni suksesin me Kupën e Shqipërisë që çoi në Vlorë. Klubi e njoftoi Gjokën dje se kërkonte një takim për vlerësimin e situatës, trajneri i njohur u nis për në Shkodër. Ka që në korrik pa punë, shumë për një trajner, sidomos për një në moshë të re dhe në majën e “piramidës” së futbollit tonë.  Gjithçka eci me shpejtësi: takim, shpalosje idesh, prezantim oferte dhe prezantim kërkesash.

STAF I KOMPLETUAR PËR GJOKËN – Nëse aspekti financiar ishte dytësor për Gjokën, që në radhë të parë vendos CV-në dhe një ofertë e një klubi legjendar si Vllaznia nuk mund të refuzohej, ish-trajneri i Kukësit kishte një kusht tjetër: do shkonte në Shkodër me stafin e vet besnik. Fatjon Tafaj do të shkojë sërish në rolin e zëvendëstrajnerit dhe Gjergj Poloska si përgatitës atletik , ndërsa pritet edhe Alfred Osmani trajner portierësh, pas aventurës evropiane te Kukësi. Një grup profesionist, që dha kontributin e vet për Kukësin kampion, ndërsa tani Gjoka i merr me vete për të ringritur Vllazninë. Gjen një ambient të trazuar, lojtarë të demoralizuar, klub të brishtë dhe tifozë të dëshpëruar, por ia ka dalë edhe në situata më të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online