Në Koverçiano, qendrën stërvitore të kombëtares italiane, janë ndarë çmimet e trajnerëve më të mirë të sezonit të kaluar. Maks Alegri është shpallur trajneri fitues i “Pankinës së Artë” të Serie A për sezonin e kaluar. Trajneri i bardhezinjve të Juventusit ka marrë 17 vota, ndërsa pas tij renditen Mauricio Sarri i Çelsit (drejtoi Napolin sezonin e kaluar) dhe Simone Inzagi i Lacios, të dy me nga tetë vota.
Trajneri i bardhezinjve ka treguar emocionet e tij pas çmimit të marrë, duke u treguar modest dhe duke konfirmuar objektivat e tij kryesorë për këtë sezon.
“I falënderoj të gjithë, por sidomos klubin dhe lojtarët, të cilët janë ata që zbresin në fushë dhe fitojnë ndeshjet. Për mua është gjithmonë kënaqësi të ndodhem këtu, jam i emocionuar si gjithmonë. Merita, e përsëris, i takon të gjithë atyre që punojnë me mua. Jam me shumë fat që kam një staf, që punon shumë mirë. Objektivi im është të fitojmë titullin e tetë rresht dhe pastaj këtë Champions të bekuar. Të shohim nëse do të kemi dhe pak fat në anën tonë”, komenton Alegri, ndërsa janë ndarë dhe çmimet për “Pankinën e Argjendtë”.
Fitues është shpallur Aurelio Andreacoli, i cili udhëhoqi Empolin drejt rikthimit në Serie A dhe u pushua nga puna, vetëm para pak ditësh. Andreacoli mblodhi 30 vota, duke lënë pas tij Roberto D’Aversën e Parmës dhe Filipo Inzagin e Bolonjës (sezonin e kaluar ishte trajner i Venecias).